Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Politikani i opozitës ruse, Ilya Yashin, i cili po vuan dënimin me burg prej 8 vitesh e gjysmë për kritikat e tij ndaj pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe protestave të tij, është vendosur në izolim, pak para një vizite të planifikuar me prindërit e tij. Yashin tha në Telegram se administrata e burgut më 17 maj e dërgoi atë në izolim për 15 ditë, për shkak se “u vonua gjatë daljes nga kazerma pas një komande zgjimi në mëngjes”. Yashin tha se masa ishte e qëllimshme për të penguar qëndrimin e tij treditor me prindërit në ambientet e burgut. Vizita ishte planifikuar për 20 maj. Dënimi ndaj Yashinit ishte më i ashpri që është shqiptuar në rastet që kanë të bëjnë me diskreditimin e forcave ruse, pas hyrjes në fuqi të ligjeve të reja në Rusi, që ndëshkojnë ata që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës. Rasti penal ndaj Yashinit ishte iniciuar në korrik të vitit të kaluar. Akuza ndaj tij u bë pas publikimeve që ai bëri në YouTube lidhur me krimet që supozohet se janë kryer nga ushtria ruse në qytetin ukrainas, Buça. Ky kritik i Kremlinit është arrestuar disa herë në të kaluarën për shkak të aktiviteteve të tij protestuese.
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)