Informacione për Suedin & Gede Juridik

Suedia planifikon të zëvendësojë kartat e identitetit të Skatteverket me karta të reja të lëshuara nga Policia

todayNovember 1, 2026 163

Background
share close

Qeveria suedeze synon të ndërpresë gradualisht shërbimin e kartave fizike të identitetit nga Zyra Suedeze e Tatimeve (Skatteverket) dhe t’ia kalojë këtë përgjegjësi Policisë. Projektligji parashikon që nga 1 marsi 2027 të mos pranohen më aplikime të reja për këto karta në Skatteverket. Ndërkohë, kartat që janë lëshuar më parë do të mbeten të vlefshme deri në datën e skadimit.

Qeveria suedeze ka paraqitur në Parlamentin suedez (Riksdag) projektligjin Prop. 2026/27:10, i cili parashikon përfundimin e shërbimit të lëshimit të kartave të identitetit nga Skatteverket.

Projektligji është paraqitur më 27 tetor 2026, por ende nuk është miratuar nga Parlamenti.

Sipas planit të qeverisë, kartat e reja të identitetit do të lëshohen nga Policia suedeze. Ky shërbim do të jetë i disponueshëm edhe për personat që nuk kanë shtetësi suedeze, por që janë të regjistruar si banorë në Suedi. Për këta persona, aplikimet për kartat e reja do të fillojnë më 1 dhjetor 2026.

Karta e re do të ketë edhe identifikimin elektronik SverigeID

Karta e identitetit që do të lëshohet nga Policia do të jetë një dokument fizik identifikimi dhe do të përmbajë sistemin elektronik të identifikimit të shtetit, të njohur si SverigeID.

Megjithatë, kjo kartë nuk do të shërbejë si dokument udhëtimi dhe nuk mund të përdoret për të udhëtuar jashtë vendit.

Qytetarët suedezë tashmë pajisen me karta kombëtare identiteti nga Policia. Duke filluar nga dhjetori 2026, edhe këto karta të reja kombëtare mund të përmbajnë funksionin SverigeID.

Si mund të aplikojnë personat që nuk kanë shtetësi suedeze?

Sipas njoftimit të Policisë suedeze, personat që nuk kanë shtetësi suedeze, por janë të regjistruar në Suedi, mund të rezervojnë një takim për aplikim duke filluar nga 1 nëntori 2026.

Rezervimi do të bëhet përmes telefonit, duke telefonuar në numrin 114 14.

Ndërsa pranimi i aplikimeve në stacionet e përzgjedhura të Policisë do të nisë më 1 dhjetor 2026.

Çfarë ndodh me aplikimet dhe kartat e Skatteverket?

Personat që kanë dorëzuar kërkesën për kartë identiteti në Skatteverket përpara marsit 2027 nuk do të humbasin të drejtën për ta marrë atë.

Aplikimet e paraqitura përpara datës së ndërprerjes do të vazhdojnë të trajtohen sipas rregullave të mëparshme. Gjithashtu, do të ruhen edhe të drejtat e qytetarëve për të paraqitur ankesë dhe për të kundërshtuar vendimet, sipas procedurave ligjore.

Kartat e identitetit të lëshuara më parë nga Skatteverket do të vazhdojnë të përdoren normalisht deri në datën e skadimit. Pra, qytetarët nuk do të detyrohen t’i ndërrojnë kartat përpara kohe.

Tetë zyra të Skatteverket do të ndalojnë pranimin e aplikimeve më 1 dhjetor

Skatteverket ka njoftuar gjithashtu se tetë zyra shërbimi do të ndalojnë pranimin e aplikimeve për karta identiteti duke filluar nga 1 dhjetori 2026.

Për më tepër, këto zyra nuk do të jenë më të disponueshme për t’u zgjedhur si vende ku qytetarët mund të tërheqin kartat e identitetit, duke filluar nga 1 nëntori 2026.

Në udhëzimet e publikuara nga Skatteverket janë renditur zyrat që preken nga ky ndryshim, si dhe informacionet për mënyrën e tërheqjes së kartave për të cilat aplikimi është bërë tashmë dhe që janë ende në pritje.

Sqarim, 31 tetor 2026: Titulli dhe hyrja e këtij lajmi janë rishikuar për të bërë më të qartë se bëhet fjalë për zëvendësimin e kartave të identitetit të Skatteverket me karta të lëshuara nga Policia, duke i dalluar ato nga kartat kombëtare të identitetit që Policia lëshon për shtetasit suedezë.

Përgatiti në Shqip: Grupi “Informacion për Suedin”

Burimi: Qeveria suedeze  Regeringen.se

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP