Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës, nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Shumica e vendeve kanë votuar “për”, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende të tjera kanë abstenuar. Takimi i Asamblesë u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në X, falënderoi vendet anëtare dhe tha se e ardhmja e Kosovës është në NATO.
Për avancimin e Kosovës reagoi edhe kryesuesi i delegacionit kosovar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni, i cili tha se “letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit”. Kujtojmë se një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi. Në njoftimin e Parlamentit serb është thënë se dhënia e një statusi i tillë do të jetë shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po pengon dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar. Gjithashtu, anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta, si dhe mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)