Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Sot në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, u mbajt seanca në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Por, çfarë u vendos? Seanca u shty në një datë të pacaktuar. Gjykata Kushtetuese miratoi vendim që për “Ligjin e Gjuhëve” të mbahet seancë përgatitore, në të cilën do të dëgjohen ekspertë të fushës me argumentat e tyre “pro” dhe “kundër” në lidhje me dispozitat kontestuese të ligjit.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse e çështjes. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare. Seancën e bojkotuan 3 gjykatës shqiptar, e më pas një gjykatës i komunitetit turk.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
•Po çfarë është Ligji i përdorimit të gjuhëve?
Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene. Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.
Sikurse presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.
Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.
Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet. Tanimë në Qeveri, kryeministri i vendit, njëkohësisht kreu i VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, deklaroi gjatë ditës së djeshme se situata është nën kontroll.
“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë. E gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll, të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi ai.
“Provokime të këtyre njerëzve” ai i referohet opozitës shqiptare, pra BDI-së, partia e cila ishte në pushtet për 22 vite, me në krye Ali Ahmetin.
Gjatë këtyre ditëve Ali Ahmeti, së bashku me partinë e tij dhe parti të koalicionit të tij, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, bënë “rojë të gjuhës” para Gjykatës Kushtetuese, duke ngritur tenda dhe duke u mbledhur para Kushtetueses, por në mënyrë paqësore. Në deklaratë për media, Ali Ahmeti tha se “Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”.
Për ligjin e Përdorimit të Gjuhëve reaguan edhe partitë shqiptare në Qeveri, koalicioni VLEN, të cilët thanë se “Sot nuk ndodhi asgjë dhe asnjëherë nuk do të lejojmë degradimin e gjuhës shqipe.”
Ditë më parë, mbi 250 intelektualë shqiptarë nënshkruan një letër të hapur, drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse, siç thuhet, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.
Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)