Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan zhvillon vizitë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë. Mbas takimit me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, në një deklaratë për media, Rama tha se partneriteti mes vendeve mike, ndahet vetëm në një pikë, konfliktin Izrael-Hamas. Sipas Erdogan, kryeministri izraelit Netanyahu është kërcënim global.
REXHEP TAIPP ERDOGAN, PRESIDENT I TURQISË
“Shkëmbyem ide edhe për çështje globale dhe rajonale. Lufta në lindjen e mesme ishte në agjendën tonë. Ndava pikëpamjet për agresionet e qeverisë Netanyahu që janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocid që po vazhdon prej një viti në Gazë është turpi i përbashkët i njerëzimit.”
EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Ajo që ndodh përditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale. Ne bashkë ndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij. Por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm, sepse duke qenë tërësisht të vendosur, në marrëdhënie kundër terrorit, terrorizmit. Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar për një armëpushim, që nënkupton dhe lirimin e pengjeve. Për ne Hamasi dhe çdo burim i terrorit është i patolerueshëm. Izraeli dhe Palestina duhet të jetojnë të sigurtë dhe askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje ekzistencën e tyre.”
Ndër të tjera, gjatë deklaratës krerët njoftuan për nënshkrimin e tri marrëveshjeve në bujqësi, arsimin e lartë dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikim. Ndërkohë, ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë pritet të nis pak para orës 5 të pasdites. Erdogan tha se Xhamia është dhuratë për vëllezërit dhe motrat shqiptare. Xhamia me 4 minare është planifikuar të ketë kapacitet për rreth 5 mijë besimtarë. Xhamia përmban edhe salla konferencash, bibliotekë dhe shumë shërbime të tjera.
Burimi i fotografisë: Shqiptarja.com
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)