Shqiperi & Kosove

Kaosi në Kuvendin e Shqipërisë nga opozita, për burgosjen e Ervin Salianjit. Reagon Rama. SHBA dhe BE, thirrje për dialog, shprehin keqardhje dhe shqetësim

todayOctober 1, 2024 4

Background
share close

Pas kaosit të shkaktuar pasditen e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, opozita shqiptare vijon edhe sot aksionin e saj, duke protestuar për dënimin e deputetit Ervin Salianji. Opozita ka bojkotuar komisionin e politikës së jashtme dhe aktivitetet në Kuvend. Partia demokratike e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me shumicën. Në 7 tetor, ora 18:00, PD ka thirrur një protestë në Tiranë, e cila pritet të nisë para godinës së Kryeministrisë, por është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllokojnë akset rrugore, kryqëzime apo arterie rrugësh, në një formë të mosbindjes civile. Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama lidhur më dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji. Nga ana tjetër, Edi Rama ka reaguar duke thënë se: “Në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Kuptohet jo absolute, por relative, qëndron dhe ndarja sot këtu midis nesh, ne që përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, mbjellim… dhe atyre që shkatërrojnë, shkulin, djegin.” 

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët gjatë seancës plenare të 30 shtatorit, nxorën jashtë sallës karriget e tyre dhe i dogjën para ndërtesës së Kuvendit. Ata u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.

“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në Parlamentin shqiptar. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, shkruhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ndërkaq, më herët ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësi nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo të bëhen dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin. Ai kujtoi se Shqipëria ndodhet para një momenti të rëndësishëm, për hapjen e negociatave me BE-në dhe ky zhvillim pozitiv për Tiranën kërkon bashkëpunim mes pushtetit dhe opozitës.

 

Burimi i fotografisë: Ballkanweb

Written by: Xhesika sallahi

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%