Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Niset anija e parë me emigrantë nga Italia drejt Shqipërisë. Anija Libra e Marinës u nis nga Lampeduza. Emigrantët do të qëndrojnë në qendrat e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër, për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare. Ende nuk dihet data e saktë e mbërritjes së emigrantëve të parë, pasi anija do të bëjë edhe ndalesa në brigjet italiane. Për këtë operacion, të parin e këtij lloji në Evropë, në Shëngjin e Gjadër do të ketë një personel prej 300 personash, mes tyre do të jenë gjykatës emigracioni, oficerë të policisë italiane, punonjës të ministrisë së brendshme italiane, punonjës social, mjekë dhe psikologë.
Qendrat kanë kapacitet për të strehuar deri në 400 emigrantë të paligjshëm si fillim, që pritet të rritet në 880 në disa javë, sipas zyrtarëve italianë, duke folur jashtë rekordit. Qendra në Gjadër ka kapacitet për 3,000 shtretër. Sipas një marrëveshjeje pesë-vjeçare nënshkruar nga Meloni dhe Rama, deri në 3,000 emigrantë të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj do të strehohen në Shqipëri. Ato do të kontrollohen fillimisht në bordin e anijeve që i shpëtojnë ato përpara se të dërgohen në Shqipëri për ekzaminim të mëtejshëm.
Të dy qendrat do t’i kushtojnë Italisë 670 milionë euro (730 milionë dollarë) gjatë pesë viteve. Strukturat do të drejtohen nga Italia dhe janë nën juridiksionin italian, ndërsa rojet shqiptare do të ofrojnë siguri të jashtme. Sipas protokollit të nënshkruar nga kryeministrja italiane Meloni dhe homologut të saj shqiptar Edi Rama, azilkërkuesit do të marrin një përgjigje brenda katër javësh, nëse përgjigja është pozitive ata do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali. Në të kundërt, ata do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur, ndërsa njerëzit e pambrojtur si gratë, fëmijët, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, emigrantët do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për të bërë që pretendimet e tyre të përpunohen atje.
Photo credit: Nova news
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)