Bota & Kuriozitete

Partia Laburiste me fitore të thellë në Britani. Sunak pranon humbjen

todayJuly 5, 2024 10

Background
share close

Partia Laburiste ka arritur fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare të Partisë Konservatore. Laburistët majtistë fituan shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlament, teksa Partia Konservatore e Rishi Sunakut pësoi disfatën më të rëndë në historinë e vet. Keir Starmer u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani si kryeministri i ardhshëm i vendit. Gjatë fjalimit, ai tha se “ndryshimi fillon tani”. Nga ana tjetër, Sunak pranoi humbjen dhe tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren. Njëkohësisht, Sunak e mori përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje. Sunak do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit, gjatë pasdites. Starmer, si udhëheqës i partisë fituese, do të takohet më pas me mbretin, të cilit do t’i kërkojë formimin e Qeverisë.

Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Doëning Street për ta mbajtur një fjalim para publikut. Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi. Parlamenti pritet ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit. Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn. Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë. Hapja e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, priten më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme.

Britania ka përjetuar disa vite të trazuara pjesërisht për fajin e konservatorëve, që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë. Pasardhësja e Johnsonit, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave, dhe qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë. Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashihnin humbje të partisë së tij.

Written by: Xhesika sallahi

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%