Shqiperi & Kosove

Protesta e opozitës/ Dhunë, molotov përpara Kryeministrisë

todayJuly 12, 2024 3

Background
share close

Opozita në Shqipëri ka protestuar në Tiranë kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe kundër kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, duke u përleshur me policinë dhe duke hedhur koktej molotovi.

Protesta nisi para ndërtesës së Qeverisë dhe vazhdoi drejt bashkisë së Tiranës dhe ndërtesës së Kuvendit, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke e akuzuar se e ka “zhytur vendin në korrupsion”.

Protestuesve iu drejtua me një fjalim ish kryeministri Sali Berisha nga Partia Demokratike, përmes një video-mesazhi nga banesa e tij, ku ndodhet në arrest shtëpiak nën dyshimin për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të godinës së Qeverisë sapo ai e mori fjalën. Policia ndërhyri menjëherë duke shuar flakët që përfshinë hyrjen e ndërtesës.

Oficerët e policisë u bënë thirrje protestuesve që të distancoheshin nga aktet e dhunës.

Situata para Qeverisë u vu nën kontroll brenda disa minutash.

Berisha bëri thirrje për një qeveri teknike dhe u kërkoi partive të tjera opozitare t’i bashkohen nismës së tij.

“Zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë, duhet të bashkohemi për qeveri teknike, pasi nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër”, tha Berisha.

Vetëm kjo, tha ai, është zgjidhja për të ndalur largimin e shqiptarëve nga vendi dhe për të ngjallur shpresën për ndryshim.

Ai i bëri thirrje Ramës të pranojë “qeverinë teknike”.

Pjesë e protestës ishin edhe aleatë të Partisë Demokratike, si kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ai i partisë që përfaqëson minoritetin grek, Vangjel Dule, por edhe deputetë që deri pak kohë më parë mbështesnin grupimin e Lulzim Bashës dhe ishin kundër Sali Berishës në krye të PD-së.

Ilir Meta në fjalën e tij sulmoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, dhe ftoi edhe shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë së Veriut “për të rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Edi Rama”.

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt bashkisë së Tiranës, aty ku prej disa kohësh opozita ka zhvilluar protesta dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në protestën para bashkisë së Tiranës pati edhe tensione, sepse protestuesit shtynë forcat e policisë duke tentuar të thyenin kordonin policor dhe të hynin në godinën e bashkisë.

Protesta u mbyll me thirrjet që kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës të largohen, me pretendimin se janë “të korruptuar”.

Prej muajit mars, opozita ka zhvilluar 12 protesta para bashkisë duke kërkuar largimin nga detyra të Veliajt, ndërsa kjo ishte protesta e parë kombëtare para Kryeministrisë.

Protesta përfundoi pasi protestuesit shkuan nga ndërtesa e Kuvendit drejt selisë së Partisë Demokratike, ku paralajmëruan për një protestë të radhës për të enjten e ardhshme, më 18 korrik./REL

Written by: Xhesika sallahi

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%