Shqiperi & Kosove

Rezultatet preliminare: LVV prin me 41 për qind të votave

todayFebruary 11, 2025 11

Background
share close

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.83 për qind apo 339.350 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ky rezultat preliminar i publikuar nga KQZ bazohet në numërimin e 99.17 për qind të vendvotimeve. Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.

Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.15 për qind apo 184.087 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.59 për qind apo 146.241 vota të fituara.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.47 për qind apo 62.066 vota.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 4.43 për qind apo 36.784 vota.

Në orët e para të 10 shkurtit, udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhje.

Ai iu tha simpatizantëve të partisë së tij të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinë se “do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera”.

PDK-ja është shprehur e lumtur me rezultatin zgjedhor, duke e quajtur “rezultat të madh”. Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë në paraqitje para mediave më 9 shkurt tha se ndonëse nuk është rezultati që ky subjekt ka pritur, do ta respektojnë.

Lista Serbe që ishte në garë me pesë parti të tjera nga radhët e komunitetit serb për dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës për këtë komunitet, tha se i ka fituar të dhjetë ulëset.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thanë se ky rezultat preliminar krijon një situatë të paqartë lidhur me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, por edhe kush do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

LVV-ja gjatë fushatës ka përjashtuar mundësinë e formimit të koalicioneve paszgjedhore me partitë aktuale opozitare. LDK-ja dhe AKK-ja kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërkaq PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë. Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.

Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.

Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 ulësesh të Kuvendit të Kosovës, institucion që më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri.

Burimi:Radio Evropa e Lirë

https://www.evropaelire.org/a/rezultatet-preliminare-zgjedhjet-ne-kosove-/33309305.html 

Written by: Xhesika sallahi

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%