Listeners:
Top listeners:
skandialbradio Skandi Alb Radio
Zjarret që kanë shpërthyer përreth Los Anxhelosit janë përhapur edhe në Hollivud Hills, teksa nga kjo fatkeqësi natyrore janë vrarë të paktën pesë persona dhe janë shkatërruar qindra shtëpi. Më shumë se 100.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen, përderisa erërat e fuqishme po pengojnë punën e zjarrfikësve për të shuar zjarret, por edhe po përhapin flakët. Në Los Anxhelos aktualisht janë të paktën gjashtë vatra aktive zjarri. Katër nga to janë 0% nën kontroll, thanë zyrtarët shtetërorë, përfshirë vatra të zjarrit në krahët lindor dhe perëndimor të qytetit që po vazhdojnë të digjen.
Departamenti i zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar urdhra për evakuimin e banorëve nga zona brenda Hollivud Bulevard në jug, në Mulholland Drive në veri, në autostradën 101 në lindje e deri në Lauren Kanion Bulevard në perëndim. Në pjesën perëndimore të Los Anxhelosit, autoritetet thanë se janë djegur 6.406 hektarë dhe qindra struktura. Ndërkaq, në lindje janë djegur 4.289 hektarë, 1.000 struktura dhe janë vrarë të paktën pesë persona, thanë zyrtarët. Tre persona po ashtu janë arrestuar për plaçkitje, sipas policisë. Dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe humbjet në ekonomi vlerësohet të jenë miliarda dollarë. Pothuajse 300.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë në Los Anxhelos të mërkurën, teksa shkollat janë të mbyllura. Përmasa e zjarreve ka bërë që zjarrfikësit të përballen me vështirësi dhe të punojnë përtej kapaciteteve të tyre. Zjarrfikës nga gjashtë shtete të tjera janë nisur drejt Kalifornisë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Zjarrfikësit në Los Anxhelos kanë thënë se tani po përballen edhe me mungesë të ujit, teksa po vazhdojnë përpjekjet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit./ REL
Written by: Xhesika sallahi
Post comments (0)