Shqiperi & Kosove

Zgjedhjet në Kosovë. Çfarë dihet deri tani?

todayFebruary 9, 2025 17

Background
share close

 

Në mbarë Kosovën mëngjesin e 9 shkurtit ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare. Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të mbyllen në orën 19:00. Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote. Ata do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh ekzekutivin e ri të Kosovës. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga PDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Më 8 shkurt, për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë në përfaqësi diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës. Po ashtu, dje është përmbyllur edhe procesi i votimit me postë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, procesi i votimit ka filluar, duke shtuar se i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë. Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se 9 për qind nga 2.589 vendvotime janë hapur me vonesë për arsye të ndryshme. DnV po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues që janë të vendosur në 500 vendvotime.

Nga ana tjetër, Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare. Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën “Sveti Sava”. Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore. Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore. Në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106.029.

Deri tani, pesë persona janë ndaluar për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, bëri të ditur Prokurori i Shtetit. Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar afër 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje. Ky institucion u bëri thirrje qytetarëve, partive e institucioneve të tjera që të denoncojnë çdo rast që dyshojnë për keqpërdorim të votave./REL

 

 

Written by: Xhesika sallahi

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%