Lajme

Tranemo bëhet komuna e parë në Suedi me arsimin parashkollor falas

todayOctober 14, 2025 31

Background
share close

Një komunë suedeze ka marrë një vendim historik: nga viti i ardhshëm, prindërit nuk do të paguajnë më tarifë për arsimin parashkollor.

Tranemo bëhet kështu komuna e parë në Suedi që ofron förskola (arsimin parashkollor) pa pagesë.

Në të njëjtën kohë, qeveria suedeze ka përfshirë në buxhetin për vitin 2026 ulje të tarifave për përkujdesjen parashkollore dhe për qendrat pas shkolle (fritidshem).

Sipas qeverisë, inflacioni i lartë ka bërë që jeta në Suedi të bëhet më e shtrenjtë, dhe për këtë arsye është bërë gjithnjë e më vështirë për familjet të përballojnë kostot e përkujdesjes për fëmijët. Brenda sistemit të quajtur maxtaxa që përcakton kufirin më të lartë të tarifave që komunat mund të kërkojnë qeveria ka propozuar një ulje të nivelit maksimal të pagesave.

Qeveria jep edhe një shembull konkret: një familje me dy fëmijë të moshës tre dhe pesë vjeç, ku prindërit punojnë si polic dhe infermiere, do të paguajë 4 500 krona më pak në vit për arsimin parashkollor.

Tranemo heq tarifat – arsimi bëhet falas

Në komunën Tranemo, drejtuesit lokalë kanë vendosur të shkojnë edhe më tej se sa propozimi i qeverisë.

Në buxhetin e shumicës për vitin e ardhshëm është përfshirë një plan për arsimin parashkollor plotësisht falas.

“Ne besojmë se kjo do të jetë një përfitim i madh për shkollat, por edhe për gjithë komunën. Kur vijnë nxënës, zakonisht vijnë edhe prindërit e tyre që punojnë këtu. Ne kemi biznese dhe një treg pune që kërkon punonjës,”  tha kryetari i komunës, Driton Bilali (S), për radion suedeze SR.

Një investim i madh ekonomik

Vendimi për ta bërë arsimin parashkollor falas do të ketë kosto të lartë për komunën, por autoritetet lokale thonë se janë ekonomikisht të përgatitur.

“Prej disa vitesh kemi pasur kontroll të mirë mbi ekonominë. Kemi shlyer borxhe, kemi kursyer për pensione dhe kemi bërë investime çdo vit,”  shpjegon Bilali.

Sipas tij, stabiliteti financiar i komunës e bën të mundur këtë nismë që synon të ndihmojë familjet dhe të forcojë zhvillimin e zonës.

Rregullat për tarifat në arsimin parashkollor

  • Komunat ose përkujdesjet private mund të vendosin tarifë për vendin e fëmijës në förskola.
  • Tarifa nuk duhet të jetë e padrejtësisht e lartë.
  • Të gjitha komunat në Suedi ndjekin sistemin e maxtaxan, që përcakton kufirin maksimal të pagesës.
  • Përkujdesja përfshin edhe ushqime të shëndetshme, dhe nuk lejohet asnjë tarifë shtesë për ushqimin përtej kufirit të maxtaxan.
  • Që nga semestri i vjeshtës i vitit kur fëmija mbush tre vjeç, tarifa mund të mbulojë vetëm pjesën e orëve që tejkalojnë 525 orë në vit.

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%