Lajme

Heqja e lejeve të përhershme të qëndrimit një kërcënim për sigurinë juridike.

todayOctober 30, 2025 918

Background
share close

Raporti shtetëror propozon ndryshime që mund të prekin dhjetëra mijëra njerëz në Suedi

Një raport i ri shtetëror, SOU 2025:99 “Ndryshimi i lejeve të përhershme të qëndrimit për disa të huaj”, propozon që lejet e përhershme të qëndrimit të mund të hiqen nëse arsyet për të cilat janë dhënë nuk ekzistojnë më.

Kjo do të thotë që njerëz që kanë jetuar në Suedi për shumë vite mund të përballen me rishqyrtim të statusit të tyre të qëndrimit.

Sipas juristëve, ky propozim është një ndryshim i madh dhe i rrezikshëm, sepse prek vetë themelet e shtetit ligjor pra sigurinë juridike, parashikueshmërinë dhe besimin e njerëzve ndaj vendimeve të shtetit.

Një hap prapa për drejtësinë

Ekspertët e ligjit thonë se heqja e lejeve të përhershme bie ndesh me disa nga parimet më të rëndësishme të shtetit të së drejtës.

1. Parimi i ligjshmërisë

Ky parim kërkon që veprimet e shtetit të jenë të qarta, të parashikueshme dhe të bazuara në ligj.

Por kur ligji zbaton masa retroaktive, pra ndikon në vendime të marra vite më parë, njerëzit humbasin besimin.

Nëse një leje është quajtur “e përhershme”, ajo duhet të garantojë qëndrueshmëri dhe siguri, jo të ndryshohet sipas politikave të momentit.

2. Parimi i proporcionalitetit

Veprimet e shtetit duhet të jenë në përpjesëtim me qëllimin që kanë.

Por ky propozim, sipas kritikëve, shkakton më shumë dëm sesa përfitim, sepse mund të krijojë pasiguri për mijëra familje.

Sipas raportit, nga 98 000 deri në 180 000 persona mund të preken nga ky ndryshim.

3. Parimi i interesit më të mirë të fëmijës

Ky parim është i garantuar në ligjin suedez dhe në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

Fëmijët kanë nevojë për stabilitet dhe siguri, por nëse familjet e tyre rrezikojnë të humbasin lejen e qëndrimit, kjo krijon frikë dhe pasiguri gjë që bie ndesh me këtë parim.

4. Parimi i mbrojtjes së vendimeve pozitive

Në ligjin administrativ suedez, një vendim që është në favor të një individi nuk duhet të hiqet më vonë, përveç në raste shumë të rralla.

Heqja e një lejeje të përhershme bie ndesh edhe me këtë rregull.

Një vendim me pasoja të mëdha

Nëse këto ndryshime zbatohen, shteti do të tërhiqte një premtim që ka dhënë më parë dhe kjo dobëson besimin e qytetarëve.

Sipas kritikëve, një veprim i tillë do të krijonte pasiguri të madhe, do të ndikonte negativisht në shëndetin mendor, integrimin dhe besimin ndaj sistemit ligjor.

Shteti duhet të mbrojë qytetarët nga vendime të papritura dhe arbitrare, por me këtë propozim ndodh e kundërta njerëzit që mendonin se janë të sigurt, mund të humbasin gjithçka.

Thelbi i shtetit ligjor

Siguria juridike nuk është vetëm ligje në letër.

Ajo lidhet me besimin se vendimet e shtetit janë të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve politike.

Tani lind pyetja:

A është e drejtë që politika e sotme të prishë premtimet e djeshme?

Zëri i profesionistëve

Një avokat që ka punuar me raste të tilla tregon se shumë njerëz jetojnë tashmë me pasiguri.

Një vendim që është quajtur “i përhershëm” po bëhet papritur “i përkohshëm”.

Kjo ndikon në besimin ndaj autoriteteve, ligjeve dhe vetë shoqërisë, thotë ai.

Ai shton se siguria juridike nuk është e negociueshme, sepse është themel i demokracisë dhe i drejtësisë në një shtet.

Sipas raportit, ndryshimet e propozuara ligjore pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.

Ekspertët shpresojnë që deri atëherë qeveria të rimendojë propozimin, për të mos shkelur parimet bazë të shtetit ligjor dhe për të mos krijuar pasiguri për mijëra njerëz që e quajnë Suedinë shtëpi.

Burimi: Dagen Juridik

Link: https://www.dagensjuridik.se/debatt/aterkallelse-av-permanenta-uppehallstillstand-ett-hot-mot-rattssakerheten/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%