Lajme

Arbetsförmedlingen paralajmëron për mashtrime ndaj kërkuesve të punës

todayNovember 11, 2025 66

Background
share close

Agjencia suedeze e punësimit, Arbetsförmedlingen, ka dhënë një paralajmërim të rëndësishëm për të gjithë personat që janë në kërkim të punës. Arsyeja është se mashtrues të ndryshëm po përdorin emrin e institucionit për të vjedhur para dhe të dhëna personale nga qytetarët.

Sipas agjencisë, edhe ajo ashtu si shumë institucione, kompani dhe organizata të tjera është prekur nga tentativa mashtrimi që përhapet përmes email-eve, sms-ve dhe mesazheve në internet.

“Fatkeqësisht është e zakonshme që mashtruesit të dërgojnë mesazhe të rreme dhe të shtiren sikur janë nga Arbetsförmedlingen,” thuhet në njoftimin zyrtar. “Mesazhet mund të vijnë në forma të ndryshme  si email, sms apo biseda në chat. Prandaj, kini kujdes me çdo gjë që klikoni.”

Këshillat e Arbetsförmedlingen për t’u mbrojtur nga mashtruesit

Agjencia ka publikuar disa udhëzime të qarta që qytetarët duhet t’i ndjekin:

  • Kontrolloni dërguesin e emailit ose mesazhit. Mashtruesit shpesh përdorin adresa që duken të ngjashme me ato të kompanive apo institucioneve serioze.
  • Mos jepni të dhëna personale përmes emailit, sms-ve apo telefonit.
  • Mos ndani fjalëkalime, të dhëna hyrjeje apo informacione bankare me askënd.
  • Mos klikoni në lidhje (linke), mos hapni bashkëngjitje (attachments) dhe mos skanoni kode QR, nëse nuk jeni plotësisht të sigurt që janë të sigurta.

Çfarë të bëni nëse jeni mashtruar

Arbetsförmedlingen u bën thirrje të gjithë atyre që kanë rënë pre e mashtrimeve të kontaktojnë menjëherë policinë dhe të bëjnë një kallëzim penal.

Po ashtu, personi duhet të njoftojë menjëherë bankën për të bllokuar llogarinë bankare dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme.

Agjencia nuk kontakton kurrë përmes rrjeteve sociale

Institucioni thekson qartë se nuk merr asnjëherë kontakt direkt me qytetarët përmes rrjeteve sociale.

Arbetsförmedlingen nuk kërkon asnjëherë të dhëna si numra llogarish, kode hyrjeje apo informacione personale.

Kushdo që merr email ose sms mashtrues duhet të ndjekë këshillën e agjencisë:

“Rekomandimi është që të fshini menjëherë mesazhin,” thuhet në njoftim.

“Ne nuk kërkojmë kurrë që të regjistroheni në ndonjë event, buletin lajmesh apo ndonjë faqe tjetër, përveçse në arbetsformedlingen.se faqja jonë zyrtare.”

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%