Lajme

Qeveria propozon ndryshime të mëdha në rregullat e kredive të banesave. Ja projekt-ligji?

todayDecember 18, 2025 107

Background
share close

Qeveria suedeze propozon ndryshime të rëndësishme në rregullat për kreditë e banesave, me synim që më shumë njerëz të kenë mundësi të blejnë dhe të zotërojnë një banesë. Në një projekt-ligj të dorëzuar për shqyrtim ligjor, propozohet heqja e kërkesës së shtuar për amortizim dhe rritja e tavanit të kredisë hipotekare nga 85% në 90%.

Sipas projekt-ligjit, do të miratohet një ligj i ri për kufizimin e kredive për banesa, i cili do të zëvendësojë rregullat aktuale të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (Finansinspektionen). Ky ligj do të rregullojë si amortizimin, ashtu edhe tavanin e kredive hipotekare.

Ndryshimet kryesore janë këto:

  • Hiqet kërkesa e shtuar për amortizim. Kjo do të thotë se personat që kanë kredi për banesë më të larta se 4,5 herë të ardhurat e tyre vjetore bruto nuk do të kenë më detyrim të amortizojnë 1% shtesë në vit.
  • Tavani i kredisë hipotekare rritet nga 85 në 90% të vlerës së tregut të banesës në momentin e blerjes së një banese të re. Kjo do të thotë se blerësi do të ketë nevojë për një kontantinsats (kapar) më të vogël.
  • Mundësitë për të marrë kredi shtesë kufizohen. Për këto kredi, shkalla e huasë nuk duhet të kalojë 80% të vlerës së banesës.
  • Futet një “rregull tröghet”. Kjo do të thotë se banesa mund të rivlerësohet vetëm një herë në pesë vjet, nëse pronari dëshiron të rrisë hapësirën për hua shtesë.

Për kreditë e banesave ku huaja nuk i kalon 50% të vlerës së banesës, bankat do të duhet të punojnë që këto kredi të amortizohen, me qëllim ruajtjen e një kulture të shëndoshë amortizimi.

Projekt-ligji përfshin edhe ndryshime në mbikëqyrjen e sistemit financiar. Roli i Bankës Qendrore të Suedisë (Riksbanken) në mbikëqyrjen makroprudenciale do të forcohet.

Sipas propozimit, Riksbanken do të marrë përgjegjësinë për përcaktimin e bufferit kundërciklik të kapitalit, një detyrë që sot i takon Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ky buffer siguron që bankat të kenë mjaftueshëm kapital për të përballuar humbjet gjatë krizave ekonomike dhe ndihmon në frenimin e rreziqeve nga rritja e madhe e kreditimit.

Ndryshimet ligjore parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2026.

Sfondi i vendimit

Në prill të vitit 2023, Ministria e Financave krijoi një komitet për të analizuar masat ekzistuese si tavani i kredive hipotekare dhe kërkesat e amortizimit. Qëllimi ishte të vlerësohej se sa mirë kanë funksionuar këto masa dhe si mund të përmirësohen për të përballuar rreziqet që lidhen me borxhin e familjeve.

Komiteti dorëzoi raportin e tij në nëntor 2024 me titull “Rregullimi i borxheve të familjeve” (SOU 2024:71). Në bazë të këtij raporti dhe analizave të mëtejshme, Ministria e Financave përgatiti një promemorie (Fi2025/01375), e cila u dërgua për konsultim në qershor 2025.

Propozimet në projekt-ligjin aktual janë të njëjta me ato të promemories, por me disa sqarime shtesë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të vazhdojë të ketë të drejtën të nxjerrë rregullore për kreditimin e bankave ndaj ndërmarrjeve jo-financiare.

Burimi: Regeringen.se

Link: https://www.regeringen.se/pressmeddelanden/2025/12/forslag-pa-hojt-bolanetak-och-slopande-av-skarpt-amorteringskrav/?mtm_campaign=Pressmeddelande&mtm_source=Pressmeddelande&mtm_medium=email

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%