Lajme

Si të përgatitësh portofolin në krizë apo në luftë. 5 masa të rëndësishme për familjet në suedi.

todayJanuary 20, 2026 223

Background
share close

A është ekonomia juaj e përgatitur për një krizë të rëndë apo edhe për luftë? Autoriteti Suedez i Mbikëqyrjes Financiare, Finansinspektionen, ka publikuar pesë këshilla të rëndësishme për qytetarët që duan të rrisin sigurinë e tyre ekonomike në situata krize.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, gjithnjë e më shumë suedezë filluan të mendojnë për gatishmërinë në shtëpi. Sipas një ankete të zhvilluar nga Enti Suedez i Statistikave (SCB) në bashkëpunim me Institutin e Mbrojtjes Totale (FOI), numri i familjeve që kanë marrë masa të veçanta për t’u përgatitur për krizë dhe luftë është dyfishuar krahasuar me vitin 2018.

Për shumë njerëz, gatishmëria në shtëpi lidhet kryesisht me furnizime ushqimore dhe ujë, si ushqime të konservuara dhe bidona me ujë, si edhe me pajisje praktike, për shembull elektrik dore, radio dhe bateri rezervë. Por, sipas autoriteteve, është po aq e rëndësishme të përgatitet edhe ekonomia personale.

Një aspekt që shpesh harrohet është fakti se sot ekonomia personale është kryesisht digjitale. Kjo do të thotë se edhe financat duhet të jenë të sigurta në raste krize ose lufte. Këtë e ka theksuar më herët për TV4 Moa Langemark, ekonomiste për mbrojtjen e konsumatorit në Finansinspektionen.

Për këtë arsye, Finansinspektionen ka publikuar pesë këshilla konkrete për përgatitjen ekonomike:

1. Mbani para të gatshme CASH në shtëpi

Paratë CASH janë shumë të rëndësishme, sepse sistemet e pagesave dhe interneti mund të mos funksionojnë në një krizë. Rekomandohet të keni para të gatshme që mjaftojnë për një javë, mundësisht në prerje të ndryshme. Paratë duhet të ruhen në një vend të sigurt, pasi sigurimi i shtëpisë ofron vetëm kompensim të kufizuar në rast vjedhjeje ose dëmtimi.

2. Keni më shumë se një kartë pagese

Në rast të një sulmi kibernetik ose ndërprerjeje të madhe, jo të gjitha bankat preken njëkohësisht. Prandaj është e rëndësishme të keni një kartë tjetër pagese ose krediti si rezervë, e lidhur me një bankë tjetër nga ajo që përdorni zakonisht.

3. Sigurohuni që mund të hyni në bankë pa BankID

Shumë persona përdorin BankID për t’u futur në shërbimet bankare, por ky shërbim mund të ketë probleme teknike. Finansinspektionen këshillon që të kontrolloni mënyra alternative për t’u identifikuar, për shembull përmes një kodi në lexuesin e kartës. Secili duhet të informohet se çfarë alternativash ofron banka e tij.

4. Kontrolloni mbulimin e sigurimeve

Është e rëndësishme të dini se çfarë mbulojnë sigurimet tuaja në raste krize dhe lufte. Kjo duhet të bëhet përpara se të ndodhin situata të tilla. Gjithashtu rekomandohet që informacioni për sigurimet të printohet në letër, pasi sistemet digjitale dhe interneti mund të mos jenë të disponueshme.

5. Shpërndani rrezikun në kursimet tuaja

Sipas Finansinspektionen, situata në botë mund të ndryshojë shumë shpejt. Për këtë arsye, është e rëndësishme të mos i mbani të gjitha kursimet në një vend. Njëkohësisht, çdo familje duhet të ketë një fond rezervë për shpenzime të papritura. Ky fond duhet të jetë në një llogari kursimi me garanci depozite, interes të mirë dhe mundësi tërheqjeje të lirë.

Autoritetet theksojnë se përgatitja ekonomike është një pjesë thelbësore e sigurisë personale dhe familjare në raste krize apo lufte.

Burimi: Nyheter24

Link: https://nyheter24.se/nyheter/ekonomi/privatekonomi/1453472-forbered-din-planbok-for-kris-och-krig-5-viktiga-atgarder

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%