Lajme

Rregulla të reja për kreditë e shtëpisë nga 1 prilli 2026. Ja sa para mund të kurseni?

todayFebruary 14, 2026 344

Background
share close

Qeveria suedeze ka propozuar rregulla të reja për kreditë e banesave, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill 2026. Sipas propozimit, tavani i kredisë hipotekore do të rritet nga 85% në 90%. Kjo do të thotë se blerësit e shtëpisë do të duhet të paguajnë vetëm 10% të çmimit të banesës si kapar (pagesë fillestare), në vend të 15% siç është sot.

Sipas përllogaritjeve të bankës suedeze SBAB, të bazuara në statistika nga Booli, ndryshimi do ta bëjë më të lehtë për shumë persona, sidomos për ata që blejnë shtëpinë për herë të parë.

Sa më pak para duhen për kapar?

SBAB ka analizuar shitjet e apartamenteve me një dhomë gjatë vitit 2025 në qytetin më të madh të çdo rajoni (në Gotland është përfshirë i gjithë rajoni). Çmimi mesatar i një apartamenti njëdhomësh në qytetet e studiuara është 1 216 314 korona suedeze.

Mesatarisht, me rregullat e reja, kapari do të ulet me rreth 61 000 korona.

Por çmimet ndryshojnë nga qyteti në qytet:

  • Në Stockholm: 151 475 korona më pak
  • Në Göteborg : 104 845 korona më pak
  • Në Malmö: 65 145 korona më pak
  • Në Uppsala: 84 235 korona më pak
  • Në Linköping: 68 175 korona më pak
  • Në Sundsväll: 28 590 korona më pak

Në Borlänge bëhet fjalë për pak mbi 30 000 korona më pak, ndërsa në Gotland rreth 75 600 korona më pak.

Koha e kursimit shkurtohet me 1.5 vite

Për shumë të rinj, problemi nuk është vetëm shuma e kaparit, por edhe sa kohë duhet për ta kursyer atë.

Sipas llogaritjeve të SBAB, sot duhen mesatarisht 55 muaj për të kursyer kaparin, duke u bazuar në disa supozime për kursimet dhe rritjen e çmimeve. Me rregullat e reja, kjo kohë do të ulet në 33 muaj.

Kjo do të thotë 18 muaj më pak, pra 1.5 vite më pak kursim.

Në Stockholm ndryshimi është edhe më i madh. Aty koha për të kursyer kaparin bie nga gati 12 vite në pak më shumë se 7 vite, një ulje prej 54 muajsh.

Linda Hasselvik, ekonomiste për çështje private dhe të banesave në SBAB, e quajti këtë propozim një lajm fantastik për blerësit për herë të parë. Sipas saj, rregullat e reja ulin ndjeshëm pengesat për të hyrë në tregun e banesave. Ajo thekson se të rinjtë që më parë merrnin kredi pa garanci (blancolån) për të plotësuar kaparin, tani mund të marrin kredi me banesën si garanci, që është më e sigurt dhe më e lirë.

A do të rriten çmimet e banesave?

Një pyetje që shtrohet shpesh është nëse rritja e tavanit të kredisë do të çojë në rritje të çmimeve të banesave.

Sipas SBAB, edhe nëse çmimet rriten me 5–10% pas ndryshimit të rregullave, kapari do të mbetet më i ulët se sot.

Nëse çmimet rriten me 10%:

  • Në Stockholm kapari do të jetë ende mbi 120 000 korona më i ulët krahasuar me rregullat aktuale.
  • Në Linköping do të jetë rreth 55 000 korona më i ulët.

Sipas bankës, kostoja e interesit do të rritet pak, por për shumë të rinj përfitimi i hyrjes më të shpejtë në treg është më i madh.

Si janë bërë përllogaritjet?

SBAB ka përdorur këto supozime në llogaritje:

  • Çmimet e banesave rriten me 4% në vit
  • Personi kursen 4 000 korona në muaj
  • Shuma e kursyer rritet me 4% çdo vit
  • Kursimet japin 4% fitim neto në vit
  • Blerësi ka mundësi ekonomike për të marrë kredi deri në 90% të vlerës së banesës

Sipas SBAB, hyrja më e shpejtë në tregun e banesave sjell përfitime edhe në afat të gjatë. Historikisht, çmimet e banesave janë rritur me kalimin e viteve. Sa më herët të blihet një shtëpi, aq më herët mund të përfitohet nga rritja e mundshme e vlerës së saj.

Burimi: Nyheter24

Link: https://nyheter24.se/nyheter/ekonomi/privatekonomi/1460003-sa-mycket-sparar-du-pa-nya-bolanereglerna-1-april-2026

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%