Lajme

Rregulla të reja të BE-së kundër gjigantëve të kartave: Ja si mund të ndryshojë ekonomia jote e përditshme

todayMay 15, 2026 43

Background
share close

Visa dhe Mastercard kanë dominuar prej shumë vitesh tregun e pagesave me kartë në Europë dhe në botë. Por tani Komisioni Europian po ndërhyn për të ulur fuqinë e tyre dhe për të rritur konkurrencën në treg. Qëllimi është të ulen tarifat e pagesave dhe të krijohen alternativa të reja për mënyrën se si paguajmë në dyqane dhe në internet.

Pagesat digjitale po rriten shumë shpejt në gjithë botën dhe në këtë treg gjigantët Visa dhe Mastercard po fitojnë gjithnjë e më shumë.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian ka kohë që po kërkon të krijojë alternativa ndaj sistemeve amerikane të pagesave. Një nga këto alternativa është sistemi paneuropian Wero.

Wero është një portofol digjital që lejon pagesa direkte nga llogaria bankare në llogari bankare, përmes numrit të telefonit ose kodit QR, pa kaluar fare përmes rrjeteve amerikane si Visa apo Mastercard.

Ky sistem është lançuar në Gjermani në vitin 2024 dhe synohet që të bëhet një alternativë e plotë në gjithë Europën deri në vitin 2027. Për bizneset kjo do të thotë tarifa më të ulëta për pagesa, ndërsa për BE-në kjo lidhet edhe me pavarësinë ekonomike.

BE-ja kërkon të ulë varësinë nga SHBA

Bashkimi Europian dëshiron të zvogëlojë varësinë nga sistemet amerikane të pagesave dhe të ketë më shumë kontroll mbi ekonominë digjitale.

Së pari, BE shpreson që më shumë konkurrencë të ulë tarifat e pagesave me kartë. Nëse dyqanet paguajnë më pak për transaksione, kjo mund të sjellë më pak tarifa shtesë për klientët dhe ndoshta edhe çmime më të ulëta. Diskutime të ngjashme po zhvillohen edhe në vende të tjera. Në Australi, për shembull, banka qendrore ka vendosur të ndalojë shtesat për pagesat me Visa dhe Mastercard nga tetori i vitit 2026.

Në plan afatgjatë, BE po diskuton edhe krijimin e një euro digjitale, një monedhë elektronike që do të lëshohet nga Banka Qendrore Evropiane për pagesa brenda BE-së.

Sipas planit të ECB-së, euro digjitale mund të futet deri në vitin 2029. Ajo do të funksiononte si para elektronike në telefonin celular dhe do të zvogëlonte varësinë nga kompanitë amerikane të pagesave. Megjithatë, ka edhe kritika se kjo mund të sjellë më shumë mbikëqyrje të qytetarëve dhe më pak privatësi, sipas disa mediave daneze.

Paraja cash në qendër të debatit

Çështja e pagesës me para në dorë po bëhet sërish shumë e rëndësishme.

Në Suedi, është shumë aktuale pasi nga 1 qershori do të lejohet përsëri pagesa me cash në disa dyqane ushqimore, sipas një ligji të ri.

Mbështetësit thonë “cash is king”, sepse paraja fizike funksionon gjithmonë, edhe kur sistemet digjitale nuk punojnë.

BE kërkon të mbrojë qytetarët

Gjykata e BE-së dhe Banka Qendrore Europiane kanë theksuar disa herë se paraja cash duhet të mbetet si opsion, sidomos për raste emergjencash dhe kriza, për të mbrojtur qytetarët.

Por kritikët thonë se paratë cash mund të përdoren edhe për aktivitete ilegale.

Për këtë arsye, BE po përpiqet të gjejë një balancë: të zhvillojë sisteme evropiane pagesash si Wero, por njëkohësisht të mbajë edhe para fizike si alternativë.

Burimi:DagensPS

Link: https://www.dagensps.se/privatekonomi/nya-eu-regler-slar-mot-kortjattarna-sa-paverkas-din-vardagsekonomi/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%