Lajme

Suedi: Nga 1 korriku rritet tarifa për ndërmjetësimin e banesave me qira, deri në 5 920 krona

todayJune 7, 2026 80

Background
share close

Nga 1 korriku 2026 do të hyjnë në fuqi disa rregulla të reja në tregun e banesave me qira në Suedi. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është rritja e tarifës maksimale që mund të kërkojnë ndërmjetësit profesionalë të banesave kur ndihmojnë një person të gjejë një banesë me qira.

Sipas rregullave të reja, tarifa maksimale për ndërmjetësimin e një apartamenti rritet nga 3 000 në 5 920 krona, përfshirë TVSH-në. Kjo do të thotë një rritje prej 2 920 kronash, ose pothuajse dyfish më shumë se tarifa aktuale.

Rritje edhe më e madhe do të ketë për ata që marrin me qira një dhomë përmes një ndërmjetësi profesional. Në këtë rast, tarifa maksimale rritet nga 1 000 në 2 960 krona, duke u bërë pothuajse trefish më e lartë se më parë.

Shumat e reja janë të lidhura me shumën bazë të çmimit (prisbasbeloppet), e cila për vitin 2026 është caktuar në 59 200 korona. Për një apartament, tarifa maksimale mund të jetë deri në një të dhjetën e kësaj shume, ndërsa për një dhomë deri në një të njëzetën. Kjo do të thotë se në të ardhmen tarifat mund të ndryshojnë nëse ndryshon edhe prisbasbeloppet.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo tarifë mund të kërkohet vetëm në rast se ndërmjetësimi çon realisht në nënshkrimin e një kontrate qiraje. Pra, askush nuk duhet të paguajë 5 920 krona vetëm për të shfaqur interes për një banesë, për të aplikuar ose për të marrë pjesë në një vizitë.

Ndryshimi prek vetëm ndërmjetësit profesionalë të banesave. Tarifat që paguhen për regjistrim ose qëndrim në radhët e zakonshme të komunave për banesa vazhdojnë të rregullohen nga ligje të tjera dhe nuk preken nga ky ndryshim.

Tarifat maksimale për ndërmjetësimin e banesave nuk ishin ndryshuar që nga viti 2003. Sipas autoriteteve, qëllimi i rritjes është të krijohen kushte më të mira për kompanitë serioze që merren me ndërmjetësimin e banesave me qira.

Këto ndryshime janë pjesë e një pakete më të gjerë reformash në tregun e qirave, e miratuar nga Riksdagen në muajin maj.

Rregullat e reja që hyjnë në fuqi më 1 korrik 2026

  • Hyn në fuqi një ligj i ri për personat privatë që japin me qira banesat e tyre. Ligji zbatohet kryesisht për ata që japin rregullisht me qira deri në dy banesa që nuk janë pjesë e banesës së tyre kryesore.
  • Pronarët dhe qiramarrësit do të kenë më shumë liri për të rënë dakord mbi shumën e qirasë, megjithëse mbetet mbrojtja kundër qirave të paarsyeshme.
  • Bëhet më e lehtë dhënia me qira e një banese kooperative (bostadsrätt) për periudha më të gjata.
  • Qartësohet dallimi midis një personi që jeton si bashkëbanues (inneboende) dhe një qiramarrësi në nënqira.
  • Thjeshtohen rregullat për të ashtuquajturat “blockhyra”, të përdorura për banesa kompanish dhe banesa të përbashkëta ku disa persona marrin me qira dhoma të veçanta dhe ndajnë hapësirat e përbashkëta.
  • Rritet tarifa maksimale e ndërmjetësimit nga 3 000 në 5 920 krona për apartamentet dhe nga 1 000 në 2 960 krona për dhomat.
  • Vendosen rregulla të reja për ankesat lidhur me qiratë e tepërta, ku në disa raste do të kërkohet leje e veçantë për shqyrtim në gjykatën e apelit.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi në të gjithë Suedinë më 1 korrik 2026.

Burimi: Nyheter24

Link: https://nyheter24.se/nyheter/ekonomi/1488403-ny-bostadsavgift-1-juli-du-kan-behova-betala-5-920-kronor

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%