Lajme

Suedi: Ulen taksat për pagat nga 1 janari 2026. Ja sa më shumë para do të mbeten në xhepin tuaj?

todayJune 8, 2026 122

Background
share close

Nga 1 janari 2026 kanë hyrë në fuqi disa reforma të reja ekonomike në Suedi, të cilat pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e familjeve. Ndër ndryshimet më të rëndësishme është ulja e taksave për punëmarrësit, që do të thotë se shumë qytetarë do të marrin më shumë para neto nga paga e tyre.

Qeveria suedeze ka miratuar një sërë masash që synojnë të lehtësojnë barrën ekonomike të familjeve. Këto përfshijnë ulje taksash për punonjësit përmes forcimit të zbritjes tatimore për të ardhurat nga puna, ulje taksash për pensionistët që kanë mbushur 66 vjeç në fillim të vitit, ulje të taksës së energjisë elektrike dhe përjashtim nga tatimi për kursimet deri në 300 mijë krona në llogaritë investuese ISK.

Përveç reformave që tashmë kanë hyrë në fuqi, qeveria ka propozuar edhe masa të tjera që pritet të zbatohen nga 1 prilli 2026. Këto përfshijnë uljen e kërkesës për amortizimin e kredive për banesa, rritjen e kufirit të huamarrjes për kreditë hipotekare dhe uljen e parapagimit të detyrueshëm për blerjen e një shtëpie nga 15% në 10%.

Ekonomistët: Të gjithë përfitojnë nga ulja e taksave

Sipas ekonomistit privat të Länsförsäkringar, Stefan Westerberg, të gjithë qytetarët që punojnë do të përfitojnë nga këto ndryshime.

“Çdokush që paguan taksa do të paguajë më pak dhe do të mbajë më shumë nga paratë që fiton”, thotë ai.

Megjithatë, ai thekson se përfitimet nuk janë të njëjta për të gjithë. Personat me të ardhura mesatare përfitojnë më shumë në raport me pagën e tyre, ndërsa ata me paga të larta përfitojnë më shumë në vlerë absolute, pra në shumën e parave që marrin shtesë.

Një arsye për këtë është edhe rritja e pragut për taksën shtetërore. Në vitin 2025 ky prag ishte 53.590 krona në muaj, ndërsa në vitin 2026 është rritur në 55.033 krona.

Në të njëjtën linjë është edhe ekonomisti i Swedbank dhe bankave të kursimit, Arturo Arques. Sipas tij, ulja e taksave është menduar kryesisht për personat me të ardhura të ulëta dhe mesatare, por ata që fitojnë më shumë do të marrin përfitimin më të madh në para.

“Personat me pagat më të larta mund të përfitojnë deri në mbi 700 krona shtesë në muaj”, shprehet ai.

Përfitime të tjera për familjet

Arques thekson se gjatë vitit 2026 familjet suedeze do të përfitojnë edhe nga masa të tjera ekonomike.

Mes tyre janë ulja e TVSH-së për ushqimet, ulja e tarifave të kujdesit për fëmijët dhe rritja e ndihmës për strehim për familjet me vështirësi ekonomike.

Sipas tij, familjet me një fëmijë do të marrin 800 krona shtesë, ndërsa familjet me dy ose më shumë fëmijë do të marrin 1.000 korona shtesë.

Sa do të rritet paga juaj?

Stefan Westerberg ka llogaritur se sa më shumë para do të mbeten në xhepin e qytetarëve pas uljes së taksave:

  • Një person me pagë 25.000 krona në muaj do të mbajë 165 krona më shumë.
  • Një person me pagë mesatare prej 38.800 kronash do të mbajë 398 krona më shumë.
  • Një person me pagë 62.500 krona në muaj do të mbajë 719 krona më shumë.

Sipas tij, këto para shtesë do t’u japin familjeve mundësi të konsumojnë më shumë, por edhe të kursejnë.

Megjithatë, ai kujton se shumë familje ende nuk e kanë rimarrë plotësisht veten nga vështirësitë ekonomike të viteve të fundit. Sipas tij, rreth 20% e suedezëve nuk janë ende në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 25.000 kronash.

Pesë përfitimet kryesore për punëmarrësit në vitin 2026

  1. Taksë më e ulët për kursimet në ISK dhe sigurimet kapitale.
  2. Taksa më e ulët për energjinë elektrike.
  3. Mbrojtje ndaj faturave shumë të larta të energjisë.
  4. Tarifa më të ulëta për çerdhet dhe aktivitetet pas mësimit.
  5. Rritje e ndihmës për strehim.

Me këto reforma, qeveria suedeze synon të rrisë të ardhurat e disponueshme të familjeve dhe të përmirësojë ekonominë e tyre gjatë vitit 2026.

Burimi: Nyheter24

Link: https://nyheter24.se/nyheter/ekonomi/privatekonomi/1445689-nu-sanks-skatten-pa-din-inkomst-galler-fran-1-januari?utm_term=Autofeed&utm_medium=EB-Social&utm_source=Facebook&fbclid=IwdGRleASTXS9leHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZAo2NjI4NTY4Mzc5AAEepU3rETaTYDxZRKjEKR1eyCsJGDL2LKGBTHOhvldKjhyIGvYXME-fT7VbdSo_aem_ctPxx_aFYao7dI0xYNcNsg#Echobox=1780869796

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%