Rreth Nesh
Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.
Listeners:
Top listeners:
play_arrow
skandialbradio Skandi Alb Radio
Rregullat e reja për përdorimin e takografit (färdskrivare) kanë hyrë në fuqi më 1 korrik dhe prekin më shumë automjete se më parë. Shumë shoferë dhe sipërmarrës në Suedi ende nuk janë të informuar për këto ndryshime. Ndërkohë, autoritetet norvegjeze kanë dalë me një paralajmërim të qartë për qytetarët dhe bizneset.
Ministri norvegjez i Transportit, Jon-Ivar Nygård, tha se është e rëndësishme që sektori të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me kërkesat e reja.
Sipas rregullave të reja, nuk janë më vetëm kamionët e rëndë që duhet të kenë takograf. Tani edhe automjetet e lehta, si furgonët dhe makinat e pasagjerëve që përdoren për transport mallrash në mënyrë komerciale ndërmjet vendeve, mund të kenë detyrimin për të instaluar takograf dhe për të respektuar rregullat për orët e drejtimit dhe pushimit.
Këto rregulla zbatohen për automjete ose kombinime automjetesh me peshë totale mbi 2.5 ton, kur kryejnë transport ndërkombëtar brenda vendeve të BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane (EEA).
Me vendosjen e takografit, drejtuesit duhet të respektojnë edhe rregullat për kohën e drejtimit. Drejtimi i automjetit lejohet deri në 9 orë në ditë, ndërsa vetëm dy herë në javë mund të zgjatet në 10 orë. Pas çdo 4 orë e 30 minutash drejtim, shoferi duhet të bëjë një pushim prej të paktën 45 minutash ose ta ndajë atë në dy pjesë: fillimisht 15 minuta dhe më pas 30 minuta. Pas një pushimi të vlefshëm ose një periudhe pushimi, fillon një periudhë e re drejtimi.
Përveç kamionëve, tani edhe automjetet më të rënda të pasagjerëve që transportojnë mallra për qëllime tregtare duhet të pajisen me takograf dhe të respektojnë rregullat për drejtimin dhe pushimin.
Instalimi i një takografi të ri kushton nga 20 000 deri në 40 000 korona suedeze, duke përfshirë edhe montimin.
Një tjetër problem është se ende ka paqartësi për mënyrën se cilat automjete përfshihen nga rregullat e reja. Më herët, Transportstyrelsen ka sqaruar se ekzistojnë disa përjashtime. Kjo paqartësi prek veçanërisht zejtarët dhe punonjësit që kalojnë shpesh kufirin mes Suedisë dhe Norvegjisë për shkak të punës. Për ta, nuk është gjithmonë e qartë nëse automjeti duhet të ketë takograf apo jo. Megjithatë, Transportstyrelsen ka theksuar se nëse transporti kryhet për qëllime komerciale, takografi është i detyrueshëm.
Pas kërkesës për sqarime nga media Carup, Transportstyrelsen shpjegoi se rregullat bazohen në disa nene të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe janë mjaft të ndërlikuara. Megjithatë, autoriteti dha disa sqarime të rëndësishme.
Rregulli i parë: Takografi kërkohet vetëm në rast të transportit ndërkombëtar me mallra. Kjo do të thotë se automjeti duhet të kalojë kufirin duke transportuar një ngarkesë. Nëse kaloni kufirin me automjet ose rimorkio bosh, rregulli nuk zbatohet. Si mallra konsiderohen edhe veglat e punës, makineritë dhe pajisjet që përdoren gjatë punës.
Përjashtimi për zejtarët dhe automjetet e kompanive: Shumica e zejtarëve nuk kanë nevojë për takograf nëse plotësojnë njëkohësisht tre kushte: pesha totale e automjetit me ose pa rimorkio nuk kalon 7.5 ton, udhëtimi bëhet brenda një rrezeje prej 100 kilometrash nga selia e kompanisë dhe drejtimi i automjetit nuk është profesioni kryesor i shoferit, ndërsa ai nuk paguhet për transportin si shërbim.
Përjashtimi për përdorim privat: Personat që transportojnë kuaj, motoçikleta motocross ose pajisje të tjera për hobi nuk kanë nevojë për takograf nëse transporti është plotësisht privat dhe pa qëllim fitimi dhe pesha totale nuk kalon 7.5 ton. Megjithatë, Transportstyrelsen kujton të ashtuquajturin “Vendimi Lundberg”. Nëse merrni pjesë në gara ku ka sponsorizime ose çmime të mëdha në para, transporti mund të konsiderohet komercial dhe përjashtimi nuk zbatohet.
Përjashtimi për bizneset që transportojnë mallrat e tyre: Për automjetet me peshë nga 2.5 deri në 3.5 ton ekziston një përjashtim tjetër. Takografi nuk kërkohet nëse transportohen mallrat ose pajisjet e vetë kompanisë ose të drejtuesit të automjetit, nuk transportohen mallra për klientë kundrejt pagesës dhe drejtimi i automjetit nuk është puna kryesore e shoferit.
Transportstyrelsen thekson se kontrollin përfundimtar e bën policia gjatë kontrolleve rrugore. Është policia ajo që vendos nëse një transport plotëson kushtet për përjashtim ose jo.
Në Norvegji autoritetet kanë zgjedhur një qasje tjetër. Ato kanë njoftuar se rregullat do të hyjnë në fuqi vetëm më 1 prill 2027, në mënyrë që bizneset të kenë kohë të mjaftueshme për të blerë dhe instaluar takografët.
Ministri Jon-Ivar Nygård deklaroi se kërkesat për orët e drejtimit, pushimit dhe përdorimin e takografit do të krijojnë konkurrencë më të ndershme, kushte më të mira pune dhe më shumë siguri në trafik. Sipas tij, shtyrja e afatit me nëntë muaj është e nevojshme që sektori të përgatitet.
Në Norvegji rreth 33 mijë furgonë preken nga këto rregulla. Megjithatë, përjashtohen transportet që kryhen për llogari të vetë kompanisë ose të drejtuesit, kur drejtimi nuk është profesioni kryesor i shoferit, automjetet elektrike deri në 4 250 kilogramë që transportojnë mallra brenda një rrezeje prej 100 kilometrash nga baza e kompanisë, si dhe automjetet që përdoren vetëm për qëllime private.
Rregullat për orët e drejtimit dhe pushimit
Burimi: Carup dhe Transportstyrelsen.
Link:https://carup.se/fallan-med-nya-reglerna-galler-fran-1-juli/#google_vignette
Written by: admin