Lajme

Stuhia Boelo godet Norvegjinë dhe Suedinë, 8 mijë familje mbeten pa energji elektrike

todayOctober 25, 2026 75

Background
share close

Stuhia e vjeshtës Boelo, e cila ka marrë një emër mashkullor holandez, ka mbërritur në Suedi pasi ka shkaktuar probleme në Norvegji. Mediat norvegjeze raportojnë se rreth 8 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike mëngjesin e së dielës. Për shkak të erës së fortë, nga çatitë e shtëpive po shkëputen edhe tjegullat.

Stuhia pritet të përfshijë Suedinë me gjithë fuqinë e saj gjatë ditës së sotme. Instituti Suedez i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë (SMHI) ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për erëra të forta përgjatë gjithë bregdetit të Suedisë jugore, nga Strömstad deri në Norrtälje.

Meteorologu i SMHI-së, Erik Höjgård-Olsen, i tha gazetës GP se në zonën e Vinga-s era po fryn me forcë të madhe.

“Aktualisht, në Vinga ka erëra shumë të forta, me rafale që arrijnë shpejtësinë 27 metra në sekondë”, deklaroi ai.

Sipas raportimeve të disa mediave, autoritetet paralajmërojnë se era do të fryjë edhe nga drejtime të pazakonta, ndryshe nga ato që shihen zakonisht në këtë zonë. Kjo rrit rrezikun e rrëzimit të pemëve dhe mund të shkaktojë dëme të tjera.

Për këtë arsye, SMHI u bën thirrje banorëve që të marrin masa paraprake dhe të sigurojnë objektet që mund të merren nga era. Mes tyre janë trampolinat, mobiliet e oborrit dhe ato të tarracave.

Autoritetet këshillojnë banorët të tregojnë kujdes gjatë gjithë ditës, pasi stuhia pritet të forcohet dhe të sjellë erëra të fuqishme në zonat e prekura.

Burimi: GP/SMHI

Link: https://www.gp.se/nyheter/goteborg/stormen-boelo-pa-vag-mot-goteborg.e593d648-ee77-5bd0-9806-bb9bb2837724

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP