Rreth Nesh
Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.
Listeners:
Top listeners:
play_arrow
skandialbradio Skandi Alb Radio
Zv.kryeministrja e Suedisë, Ebba Busch, ka propozuar së fundmi që të ndalohet përdorimi i burkës dhe nikabit në vend. Ajo thotë se kjo masë është e nevojshme “për liri, barazi dhe integrim”.
Por juristët Behrang Eslami dhe Michel Sawmi paralajmërojnë se një ligj i tillë mund të ketë pasoja të rënda për shumë gra dhe për shoqërinë suedeze.
Sipas tyre, ndalimi i burkës dhe nikabit do t’i bënte disa gra të ndiheshin të përjashtuara dhe të frikësuara për të marrë pjesë në jetën publike. Kjo, në vend që të ndihmojë integrimin, do të sjellë më shumë izolim dhe përçarje.
Gratë që mbajnë burka nuk janë të gjitha njësoj
Juristët shpjegojnë se gratë që mbajnë burka ose nikab nuk janë një grup i vetëm. Ato mund ta bëjnë këtë për arsye të ndryshme: besim fetar, traditë, kulturë apo identitet personal.
Në disa raste, veshja mund të jetë rezultat i presionit familjar ose shoqëror, por në shumë raste është zgjedhje e lirë.
Prandaj, sipas tyre, shteti duhet të luftojë detyrimin, por të mos ndërhyjë tek zgjedhja e lirë.
“Duhet të kuptojmë dallimin midis grave që e mbajnë burkën me dëshirë dhe atyre që detyrohen ta mbajnë,” theksojnë autorët. “Në të kundërt, rrezikojmë të kufizojmë lirinë e atyre që janë realisht të lira.”
Ndalimi mund të ndëshkojë viktimat
Në artikull thuhet se nëse një grua detyrohet të mbajë burka apo nikab, ajo është tashmë viktimë e shtypjes.
“Nëse pastaj e ndëshkojmë sepse mban burkën, atëherë ndëshkojmë viktimën, jo fajtorin,” theksojnë juristët.
Ata kujtojnë fjalët e profesorit të njohur suedez Mårten Schultz, i cili që në vitin 2010 ka thënë:
“Të ndalosh burkën për të luftuar shtypjen e grave është si të luftosh dhunën ndaj grave duke i detyruar ato të mbulojnë me grim shenjat e goditjeve.”
Sipas Eslamit dhe Sawmit, nuk mund të zhduket shtypja duke ndëshkuar viktimën e saj.
Një ndalim i tillë, sipas tyre, do të krijonte një “rreth vicioz”: gratë e detyruara do të izoloheshin edhe më shumë, do të largoheshin nga shoqëria dhe do të mbeteshin të bllokuara në të njëjtin sistem kontrolli që ligji do të pretendonte ta luftonte.
Mbrojtja duhet t’i drejtohet grave, jo t’i ndëshkojë ato
Juristët kujtojnë se tradita ligjore suedeze ka gjithmonë synuar të mbrojë palën më të dobët.
Kur në vitin 1999 u ndalua blerja e shërbimeve seksuale, fillimisht u propozua që të dënohej edhe personi që i ofronte këto shërbime por kjo u refuzua.
Qeveria e asaj kohe tha se nuk është e drejtë të ndëshkohet ai që është viktimë e shfrytëzimit, dhe se duhet ndihmuar për të dalë nga situata e vështirë.
Sipas autorëve, i njëjti parim duhet të vlejë edhe për gratë që mbajnë burka ose nikab.
Në vend që të dënohen, ato duhet të marrin mbështetje, ndihmë sociale dhe juridike për t’u çliruar nga çdo lloj kontrolli.
Shërbimet sociale dhe organizatat për të drejtat e grave duhet të kenë më shumë burime dhe staf për të ndërtuar besim me këto gra dhe për t’u ofruar mbrojtje të vërtetë.
Hedersförtryck – tashmë krim në Suedi
Që nga viti 2022, “shtypja për shkak të nderit” është krim në Suedi, sipas nenit 4 kap. 4 e § të Kodit Penal.
Ky ligj lejon që personat që ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm ndaj grave për shkak të nderit familjar ose fetar të dënohen me burg.
Juristët propozojnë që ky ligj të zgjerohet dhe të përfshijë edhe presionin psikologjik dhe social, si p.sh. kur grave u ndalohet të shkojnë në shkollë, të punojnë ose të vishen sipas dëshirës së tyre.
Kështu, ligji do të sulmojë fajtorët, jo viktimat.
“Ndalimi i veshjeve fetare është si të trajtosh simptomën, por të injorosh sëmundjen,” shkruajnë ata.
Ndalimi është fetarisht selektiv dhe i rrezikshëm
Juristët theksojnë se propozimi i ndalimit është i padrejtë dhe selektiv, sepse synon vetëm veshjet fetare islame, jo të gjitha format e mbulimit të fytyrës.
Nëse, për shembull, balaklavat, maskat e dimrit apo maskat mjekësore lejohen, por burka dhe nikabi ndalohen, atëherë kjo është diskriminim fetar, në kundërshtim me nenin 2:12 të Kushtetutës suedeze.
Ata shtrojnë edhe pyetjen praktike:
“Si do ta zbatojë policia këtë ligj? A do t’i pyesë gratë për fenë e tyre për të parë nëse ndalimi vlen për to?”
Një praktikë e tillë, sipas tyre, do të shkelte lirinë absolute të fesë, të garantuar nga neni 2:2 i Kushtetutës.
Një ndalim i tillë do të dërgonte gjithashtu mesazh të rrezikshëm për myslimanët, duke krijuar ndjenjën se ata nuk janë të mirëpritur në hapësirat publike.
Kjo do të rriste islamofobinë, ndasitë shoqërore dhe polarizimin duke e bërë të kundërtën e asaj që pretendon të arrijë.
Liria nuk mund të mbrohet duke e kufizuar
Në fund, juristët theksojnë se në një shoqëri të lirë dhe demokratike, shteti duhet të mbrojë zgjedhjet personale, jo t’i diktojë ato.
“Të ndalosh veshjet fetare në emër të lirisë është si të mbrosh lirinë duke e kufizuar atë,” shkruajnë ata.
Sipas tyre, politikanët duhet të përqendrohen në forcimin e të drejtave të grave, jo në dobësimin e tyre.
“A është vërtet barazi gjinore ta bësh viktimën shkelëse të ligjit?”, përfundojnë juristët.
Autorë:
Behrang Eslami, avokat
Michel Sawmi, ndihmëa jurist
Burimi: Aftonbladet
Link: https://www.aftonbladet.se/debatt/a/OoLjrb/staten-bor-bekampa-tvanget-men-lamna-det-frivilliga-valet-ifred
Written by: admin