Lajme

Industri e madhe në rënie të lirë, kriza e fluturimeve rrezikon gjithë Suedinë.

todayJanuary 17, 2026 271

Background
share close

Industria e fluturimeve në Suedi po kalon një krizë serioze që po thellohet çdo vit. Kjo bëhet e ditur nga një raport i ri i Autoritetit Suedez të Transportit (Transportstyrelsen).

Sipas raportit, numri i pasagjerëve që udhëtojnë çdo vit me fluturime të brendshme në Suedi është përgjysmuar krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19.

Autoritetet shpjegojnë se kërkesa për fluturime ka rënë ndjeshëm. Arsyet kryesore janë përdorimi gjithnjë e më i madh i takimeve digjitale, fuqia më e ulët blerëse e qytetarëve dhe rritja e çmimeve të biletave të avionit.

Në të njëjtën kohë, kompanitë ajrore po përballen me kosto shumë më të larta, gjë që ka sjellë fitime më të ulëta dhe vështirësi financiare.

“Nuk ka vetëm një arsye për këtë rënie. Disa faktorë janë më të rëndësishëm se të tjerët. Pandemia e përshpejtoi një zhvillim që kishte filluar prej kohësh”, thotë Simon Posluk, shef njësie në Transportstyrelsen.

SAS paralajmëron rrezik serioz

Drejtori ekzekutiv i kompanisë ajrore SAS, Anko van der Werff, shpreh shqetësim të madh për situatën. Ai paralajmëron se infrastruktura e rëndësishme për shoqërinë suedeze mund të zhduket nëse fluturimet e brendshme nuk rimëkëmben.

Sipas tij, kriza e aviacionit mund të ndikojë negativisht edhe në rritjen ekonomike të Suedisë.

“Ne duam që autoritetet dhe kompanitë të rishikojnë kontratat e tyre, në mënyrë që fluturimi të bëhet sërish pjesë e planeve të tyre. Shumë institucione kanë vendosur si politikë që të mos fluturojnë më”, thotë ai për TV4.

“Nuk dua ta politizoj këtë çështje, por nëse kjo infrastrukturë, e ndërtuar gjatë dekadave, nuk përdoret, rrezikon të humbasë përgjithmonë. Duhet të sigurohemi që ajo të përdoret”, shton ai.

Udhëtimet e punës kanë rënë më së shumti

Statistikat tregojnë se një kategori udhëtimesh ka rënë veçanërisht shumë. Udhëtimet e punës me avion nga suedezët janë ulur me rreth 60% gjatë periudhës 2016–2025.

Kjo rënie lidhet me faktin se ka më pak linja ajrore dhe më pak fluturime. Gjithashtu, numri i kompanive ajrore që operojnë në Suedi ka rënë, ndërsa çmimet e biletave për fluturimet e brendshme janë rritur ndjeshëm.

Sipas Transportstyrelsen, kërkesa për fluturime të brendshme ndikohet edhe nga alternativat e tjera të udhëtimit, si treni. Zgjedhja e udhëtarëve varet nga çmimi, disponueshmëria, ndikimi në mjedis dhe koha e udhëtimit.

“Sa më e shkurtër të jetë koha e udhëtimit, aq më shumë njerëz zgjedhin trenin në vend të avionit”, shpjegon Simon Posluk.

Kriza e aviacionit vazhdon të mbetet një sfidë e madhe për Suedinë dhe e ardhmja e fluturimeve të brendshme mbetet e pasigurt.

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%