Lajme

Kalmar, rajoni i parë që refuzon takimin për kthimin vullnetar të emigrantëve

todayOctober 30, 2025 31

Background
share close

Rajoni Kalmar län është bërë i pari në Suedi që refuzon ftesën e qeverisë për të marrë pjesë në një dialog mbi kthimin vullnetar të emigrantëve.

Deri tani, disa komuna në vend mes tyre Växjö dhe Kalmar, të drejtuara nga Socialdemokratët (S)  kanë thënë “jo” ndaj ftesës për takim me koordinatorin e qeverisë për kthim vullnetar. Tani edhe vetë rajoni ka ndjekur të njëjtën rrugë, pas një vendimi nga koalicioni qeverisës S–V–C (Socialdemokratët, e Majta dhe Qendra).

“E falënderojmë qeverinë për ftesën, por refuzojmë të marrim pjesë në dialog, sepse çështja nuk përputhet me vlerat e Rajonit Kalmar län. Shumë nga banorët tanë përfshirë edhe ata që kanë ardhur nga vende të tjera punojnë në shëndetësi, transport publik dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm për shoqërinë,” tha Angelica Katsanidou (S), kryetare e rajonit, në një deklaratë për shtyp.

Ajo shtoi se rajoni punon aktivisht për të tërhequr më shumë banorë, që njerëzit të duan të jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në Kalmar, duke mirëpritur persona me prejardhje të ndryshme për të siguruar mirëqenien dhe fuqinë punëtore të së ardhmes.

Opozita në Kalmar: Duhet pranuar dialogu

Të enjten, partitë opozitare Moderatët (M) dhe Kristdemokratët (KD) në Rajonin Kalmar njoftuan se janë të gatshme të marrin pjesë në takim me përfaqësuesin e qeverisë.

“Kjo çështje është keqinterpretuar plotësisht. Bonusi për kthim është për njerëzit që nuk janë qytetarë suedezë, nuk punojnë dhe nuk kontribuojnë, dhe që nuk e shohin të ardhmen e tyre në Suedi, por dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Është një mundësi për të jetuar jetën që dikush dëshiron vetë. Pse duhet të themi jo ndaj kësaj?”, tha Malin Sjölander (M) në një deklaratë për shtyp.

Edhe përfaqësuesi i SD-së, Martin Kirchberg, e kritikoi vendimin e shumicës dhe tha në një deklaratë se ky është

“një gabim i rëndë që tregon se shumica qeverisëse po vendos ideologjinë përpara arsyes dhe përgjegjësisë.”

Jokkmokk nisi trendin e refuzimeve

Komuna Jokkmokk ishte e para që refuzoi ftesën për dialog me qeverinë, por ditët e fundit edhe shumë komuna të tjera janë bashkuar me të  kryesisht ato që drejtohen nga parti që janë në opozitë me politikën qeveritare.

Sipas vendimmarrësve të Rajonit Kalmar, ata janë rajoni i parë në Suedi që refuzon zyrtarisht ftesën e qeverisë për bisedime mbi kthimin vullnetar të emigrantëve.

Po të enjten, Rajoni Kronoberg njoftoi gjithashtu se refuzon të zhvillojë takim me koordinatorin e posaçëm të qeverisë për këtë çështje.

Burimi: SVT

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%