Lajme

Mashtrimet me çmime para Black Friday, dyqanet online rrisin çmimet përpara zbritjeve.

todayNovember 4, 2025 18

Background
share close

Mashtrimet me çmime vazhdojnë edhe këtë vit para Black Friday. Sipas një raporti të faqes së krahasimit të çmimeve Prisjakt, qindra mijëra produkte në dyqanet online suedeze janë bërë më të shtrenjta gjatë muajit tetor përpara se të “ulen” përsëri në fund të nëntorit.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo është një mënyrë për të mashtruar konsumatorët, duke bërë që uljet të duken më të mëdha se sa janë në të vërtetë.

“Kur rritjet e çmimeve kalojnë dhjetë për qind, diçka është e dyshimtë”, thotë Isabella Ahmadi, eksperte e konsumatorëve në Prisjakt.

13% e çmimeve janë rritur ndjeshëm

Prisjakt ka analizuar afro 3 milionë çmime gjatë tetorit dhe ka zbuluar se 13% e produkteve janë bërë më të shtrenjta me më shumë se 10% të tyre.

Që disa dyqane i rrisin përkohësisht çmimet para periudhave të zbritjeve, për t’i ulur më pas, nuk është gjë e re.

Që nga viti 2022, ligji për informimin e çmimeve kërkon që çdo kompani, kur bën ulje, të tregojë çmimin më të ulët që produkti ka pasur gjatë 30 ditëve të fundit.

Por sipas një hetimi të Autoritetit të Konsumatorit (Konsumentverket), katër nga dhjetë kompani të tregtisë online e shkelën këtë rregull vitin e kaluar.

Si e anashkalojnë ligjin dyqanet

Tani disa dyqane kanë gjetur një mënyrë të re për ta anashkaluar ligjin  pa e shkelur atë. Ato rrisin çmimet që në tetor, në mënyrë që çmimi më i ulët gjatë periudhës 30-ditore të jetë më i lartë se më parë. Kështu, ulja që ofrohet gjatë Black Friday duket më e madhe, edhe pse në realitet nuk është.

“Kemi parë që rritjet e çmimeve në tetor janë shtuar që nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Kjo tregon një trend të ri mashtrues në treg, ku çmimet rriten shumë përpara zbritjeve të mëdha”, si Black Friday, thotë Ahmadi.

Ligji nuk po funksionon siç duhet

Edhe Maria Wiezell, eksperte e konsumatorëve në organizatën e pavarur Sveriges Konsumenter, thotë se nuk është e befasuar nga ky raport.

“Ligji për informimin e çmimeve nuk ka funksionuar ashtu siç ishte menduar. Përveç kësaj, shumë kompani as nuk tregojnë çmimin më të ulët që ka pasur produkti”, thotë ajo.

Produktet që kanë pasur rritjet më të mëdha

Sipas Prisjakt, veshjet dhe këpucët janë produktet që kanë pësuar rritjet më të mëdha, sidomos çizmet për fëmijë, këpucët për ecje dhe xhaketat.

Edhe produktet teknologjike si televizorët, lavatriçet dhe pjatalarëset kanë pasur rritje të qarta çmimesh gjatë tetorit.

Këshillat e ekspertëve për konsumatorët

Ekspertët u bëjnë thirrje konsumatorëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos mashtrohen nga “zbritjet” e rreme.

Këshilla nga Prisjakt dhe Sveriges Konsumenter:

  • Bëni kërkim paraprak përpara se të blini. Krahasojini çmimet për të paktën 30 ditë më parë, ose më mirë tre muaj mbrapa.
  • Kujdes, sepse edhe faqet e krahasimit të çmimeve kanë reklama dhe nuk përfshijnë të gjitha kompanitë.
  • Mos u mashtroni nga përqindjet e uljeve, një produkt mund të duket më i lirë, por të ketë të njëjtin çmim si më parë.
  • Mos blini produkte shtesë vetëm sepse kanë ulje. Ofertat si “bli tre, paguaj për dy” mund të jenë joshëse, por zakonisht çojnë në blerje të panevojshme.
  • Black Friday mund të ofrojë ende marrëveshje të mira, por vetëm nëse bëni kërkime dhe jini kritikë përpara çdo blerjeje.

Burimi: TT, Prisjakt dhe Sveriges Konsumenter.

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%