Lajme

Ministri i Emigracionit: “Do ta hetojmë deri në fund abuzimin me kujdestaret e huaja të fëmijëve”

todayApril 28, 2026 56

Background
share close

Sistemi i kujdestareve të huaja të fëmijëve në Suedi, i njohur si “au pair”, është krijuar fillimisht si një shkëmbim kulturor. Qëllimi ka qenë që të rinjtë nga vende të tjera të jetojnë përkohësisht në familje suedeze, të mësojnë gjuhën dhe kulturën suedeze, ndërsa ndihmojnë me kujdesin ndaj fëmijëve dhe me punë të lehta shtëpie.

Por së fundmi sistemi është vënë nën kritika të forta. Kritikët thonë se shumë familje të pasura suedeze po e përdorin atë për të siguruar fuqi punëtore të lirë, në vend të një shkëmbimi kulturor.

Në Norvegji, qeveria vendosi në vitin 2024 ta heqë plotësisht këtë sistem, me arsyetimin se shumë të rinj të huaj po shfrytëzoheshin si punëtorë me paga të ulëta. Përfaqësuesja e Partisë Laburiste norvegjeze, Marte Mjøs Persen, deklaroi para marrjes së vendimit:

“Koha kur ky sistem ishte vërtet një shkëmbim kulturor ka marrë fund. Duhet ta quajmë me emrin e vërtetë: punë e nënvlerësuar dhe e nënpaguar.”

Edhe në Suedi po shtohen zërat që kërkojnë heqjen e sistemit. Organizata sindikale suedeze LO ka qenë ndër më kritikët. Studiuesja e çështjeve sociale pranë kësaj organizate, Ulrika Lorentzi, thotë se argumentet e Norvegjisë vlejnë edhe për Suedinë.

“Ai nuk është më sistemi i bukur që dikur synohej të krijohej. Ndihmon vetëm familjet më të pasura, ndërsa kujdestaret e huaja rrezikojnë të shfrytëzohen”, tha ajo.

Sipas rregullave aktuale në Suedi, paga minimale për një kujdestare të huaj të fëmijëve është 5 920 korona suedeze në muaj para tatimit. Lorentzi e konsideron shumë të ulët këtë pagesë, sidomos në një kohë kur qeveria po vendos kërkesa më të forta për paga më të larta për emigrantët që vijnë për punë.

Ajo kritikoi edhe faktin që familjet mund të përdorin zbritje tatimore për këtë shërbim, çka do të thotë se një pjesë e kostos paguhet nga taksapaguesit suedezë.

Ministri suedez i Migracionit, Johan Forssell, tha se sistemi në përgjithësi vazhdon të ketë funksionin e tij dhe se ekziston prej shumë kohësh në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, ai pranoi se ka rrezik për abuzime.

“Është shumë e rëndësishme që sistemi të përdoret për qëllimin e duhur dhe të mos keqpërdoret”, deklaroi Forssell.

Ai shtoi se Suedia, ndryshe nga Norvegjia, duhet të respektojë edhe rregullat dhe direktivat e Bashkimit Europian që mbrojnë këtë sistem.

Një hulumtim i televizionit publik suedez SVT zbuloi dëshmi shqetësuese nga kujdestare filipinase të fëmijëve, të cilat treguan për:

  • orë shumë të gjata pune,
  • kontrata të rreme,
  • dhe kërcënime nga familjet ku jetonin.

Pas publikimit të këtyre rasteve, ministri Forssell tha se qeveria ka “zero tolerancë” ndaj çdo forme shfrytëzimi dhe mashtrimi.

“Ne duam që ky sistem të funksionojë ashtu siç është menduar, si një shkëmbim kulturor. Nëse ka probleme, do të shkojmë deri në fund të çështjes”, tha ai.

Sipas tij, hapi i parë do të jetë që Agjencia Suedeze e Migracionit të kontrollojë më nga afër nëse kushtet reale të punës përputhen me rregullat zyrtare.

Sipas statistikave të Agjencisë Suedeze të Migracionit, komunat me numrin më të madh të kujdestareve të huaja të fëmijëve gjatë dy viteve të fundit janë:

  • Stokholmi – 249 leje qëndrimi
  • Danderyd – 138
  • Lidingö – 77
  • Goteborgu – 53
  • Malmo – 41
  • Nacka – 35
  • Vellinge – 32
  • Täby – 27
  • Kungsbacka – 17
  • Uppsala – 16

Sipas rregullave suedeze, personat që aplikojnë për këtë program duhet të jenë nga 18 deri në 30 vjeç. Ata lejohen të punojnë maksimumi 25 orë në javë me kujdesin ndaj fëmijëve dhe me punë të lehta shtëpie.

Leja e qëndrimit jepet për maksimumi një vit, por shumë prej tyre lëvizin më pas në vende të tjera nordike për të vazhduar punën në të njëjtin sistem.

Burimi: STV

Link: https://www.svt.se/nyheter/inrikes/johan-forssell-m-ska-ga-till-botten-med-det

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%