Lajme

Ndërrimi i gomave 2026: Gabimet që mund t’ju kushtojnë shtrenjtë këtë pranverë

todayMarch 1, 2026 40

Background
share close

Pranvera po afrohet dhe bashkë me të vjen koha për të ndërruar gomat e dimrit me ato të verës. Por shumë shoferë rrezikojnë të bëjnë gabime që mund të jenë të rrezikshme dhe të kushtueshme.

Çdo vit, mijëra drejtues mjetesh bëjnë të njëjtat gabime gjatë ndërrimit të gomave të verës. Sipas ekspertit të gomave dhe sigurisë, Roland Brimow, nga Däckskiftarna, problemet më të zakonshme lidhen me pakujdesinë, keqkuptimet dhe zakonet e vjetra.

Në një intervistë për Nyheter24, ai thekson se ndërrimi i gomave në shtëpi mund të bëhet, por vetëm nëse përdoren mjetet e duhura dhe respektohen rregullat e sigurisë. Në servise përdoren mjete të kalibruara dhe kontrollohet edhe balancimi i gomave, gjë që ul rrezikun e dridhjeve dhe konsumimit të pabarabartë.

Sipas tij, gjeneratat e fundit të gomave të verës kanë kapje më të mirë në rrugë të lagështa dhe rezistencë më të ulët rrotullimi. Kjo është e rëndësishme, sidomos në verat nordike, ku moti mund të ndryshojë shpejt. Gjithashtu, gjithnjë e më shumë shoferë po zgjedhin goma të përshtatura për makina elektrike, të cilat duhet të përballojnë peshë më të madhe dhe fuqi më të lartë, ndërsa mbajnë të ulët zhurmën dhe konsumin e energjisë.

Eksperti paralajmëron se presioni i gabuar i ajrit ose balancimi i dobët i gomave çon në konsumim më të shpejtë dhe dridhje të makinës. Me kalimin e kohës, kjo mund të ndikojë në drejtimin e mjetit, në konsumin e karburantit dhe në pjesë të tjera si kushinetat e rrotave dhe sistemi i amortizimit. Ai kujton se gomat janë pika e vetme e kontaktit të makinës me rrugën, prandaj montimi i saktë është çështje sigurie.

Ligji kërkon që gomat e verës të kenë të paktën 1.6 milimetra thellësi profili. Megjithatë, sipas ekspertit, edhe nën 3 milimetra kapja në rrugë përkeqësohet dukshëm. Udhëtimi me goma të konsumuara mund të sjellë edhe gjoba.

10 gabimet më të zakonshme gjatë ndërrimit të gomave të verës

  1. Shtrëngimi i gabuar i bulonave
    Nëse bulonat shtrëngohen pak, rrota mund të shkëputet. Nëse shtrëngohen shumë, mund të dëmtohen bulonat dhe felgat (Diskun). Çelësi i momentit (Kopil) përdoret shumë rrallë.
  2. Mosrishtrëngimi i rrotave
    Rrotat duhet të rishtrëngohen pas 50–100 kilometrash udhëtim. Kjo është një nga arsyet më të zakonshme të problemeve pas ndërrimit.
  3. Presion i gabuar i ajrit
    Shumë shoferë mendojnë se presioni është në rregull që nga ruajtja, por zakonisht nuk është. Presioni i ulët rrit konsumin e karburantit dhe dëmton kapjen në rrugë. Presioni i saktë gjendet te shtylla e derës së makinës, jo te goma.
  4. Vendosja e gomave më të mira përpara
    Gomat me profil më të thellë duhet të vendosen gjithmonë pas, pavarësisht nëse makina është me tërheqje (Diferencial) përpara apo prapa. Kjo ndikon në stabilitet, sidomos gjatë frenimeve të forta.
  5. Mosmatja e thellësisë së profilit
    Minimumi ligjor është 1.6 mm, por nën 3 mm kapja përkeqësohet dukshëm. Nuk mjafton të duken “në rregull”, ato duhet të maten.
  6. Vendosja e gabuar e krikut
    Nëse kriku vendoset në vend të gabuar, makina mund të dëmtohet ose të bëhet e paqëndrueshme gjatë ngritjes.
  7. Injorimi i ndryshkut dhe papastërtisë
    Qendra e rrotës, sipërfaqet e kontaktit dhe bulonat duhet të pastrohen për të shmangur montimin e shtrembër dhe dridhjet.
  8. Injorimi i paralajmërimit TPMS
    Nëse ndizet drita paralajmëruese e presionit të gomave pas ndërrimit, ajo nuk duhet injoruar. Është një sistem i rëndësishëm sigurie.
  9. Ruajtja e gabuar e gomave
    Gomat duhet të ruhen në vend të freskët, të errët dhe të thatë. Ruajtja në nxehtësi, lagështi ose diell i dëmton ato. Duhet të pastrohen para se të ruhen.
  10. Të mendosh se gjithçka ka mbaruar
    Ndërrimi i gomave është një mundësi për të kontrolluar edhe frenat, felgat( Diskun) dhe konsumimin e pabarabartë. Këto mund të tregojnë probleme me drejtimin ose defekte të tjera.

Ekspertët këshillojnë që shoferët të mos e shohin ndërrimin e gomave si një punë të thjeshtë sezonale, por si një çështje sigurie që kërkon kujdes dhe vëmendje.

Burimi: Nyheter24

Link: https://nyheter24.se/nyheter/motor/1463514-det-galler-for-varens-dackbyte-2026-kan-bli-dyrt

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%