Lajme

Qeveria suedeze godet më të varfrit, të papunët dhe personat me aftësi të kufizuara

todayOctober 6, 2025 644

Background
share close

Qeveria e drejtuar nga Demokratët Suedezë (SD) dhe aleatët e saj po e bën gjithnjë e më të vështirë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë ekonomike. Sipas kritikëve, kjo është një politikë që i favorizon të pasurit dhe i godet shtresat më të dobëta të shoqërisë.

Ndihma sociale bëhet më e vështirë

Qeveria është mburrur se do ta bëjë më të vështirë për qytetarët të marrin ndihmë sociale. Kjo ndodh në një kohë kur përqindja e njerëzve që marrin këtë ndihmë është ulur ndjeshëm që nga vitet ’90, por si zakonisht, ajo rritet kur papunësia rritet, gjë që po ndodh tani.

Sipas kritikëve, qeveria i quan me përçmim njerëzit në nevojë “marrës ndihme”, duke i trajtuar si barrë për shoqërinë. Parulla e qeverisë është “duhet të shpërblehet puna”, por në praktikë, kjo po kthehet në ndëshkim për ata që nuk mund të punojnë.

Përkeqësim i kushteve të a-kassës

Nga 1 tetori, janë ulur përfitimet e sigurimit të papunësisë (a-kassa).

Tani, një i papunë merr 80% të pagës (deri në 34,000 korona në muaj) për 100 ditët e para. Pas kësaj periudhe, ndihma ulet me 10 pikë përqindjeje, dhe pas 200 ditësh, me 5 pikë të tjera.

Pas 300 ditësh papunësi, e drejta për a-kassa përfundon, dhe personi kalon në sistemin e “aktivitetsstöd” (ndihmë për aktivitete) përmes Försäkringskassan.

Në një Suedi ku papunësia ka arritur 8,7%, një nga nivelet më të larta në vite kjo reformë pritet të godasë rëndë shumë familje.

Sipas shumë dëshmive, diskriminimi për shkak të moshës në tregun e punës është i përhapur, veçanërisht pas moshës 40 vjeç, gjë që e bën edhe më të vështirë gjetjen e një pune të re.

Goditje për personat me aftësi të kufizuara

Qeveria e SD-së ka premtuar në vitin 2024 se do të indeksonte pagesat për ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuara. Por në realitet, kjo nuk ndodhi. Në vend të indeksimit, ndihma u rrit vetëm 1,5%, shumë më pak se rritja e pagave dhe kostove të jetesës.

Kjo do të thotë se shumë persona me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre do të kenë vështirësi të mbulojnë kostot bazë.

Një politikë për 10% më të pasurit

Vetëm 10% e suedezëve në moshë pune fitojnë mbi 60,000 korona në muaj, rreth 500 mijë persona. Këta janë ata që përfitojnë më shumë nga politika e qeverisë aktuale, e cila përfshin ulje taksash dhe përfitime për shtresat me të ardhura të larta.

Pjesa tjetër, shumica dërrmuese e popullsisë  nuk ka asgjë për të fituar.

Sipas kritikëve, qeveria po i shërben atyre që tashmë janë të privilegjuar: njerëz me paga të larta, pasuri të mëdha, arsim të mirë dhe lidhje shoqërore.

Ata që kanë sigurime private, kujdes shëndetësor më të mirë dhe mundësi për t’u rikuperuar shpejt financiarisht në rast humbjeje të punës.

“Me një jetë të sigurt, është e lehtë të mendosh se sigurimi i papunësisë apo i sëmundjes nuk është i rëndësishëm,” shkruhet në analizë. “Por për shumicën e njerëzve, këto janë shtylla themelore të jetesës.”

Të papunët shpallen fajtorë

Në vend që të investojë në arsim dhe trajnime për t’i ndihmuar njerëzit të kthehen në tregun e punës, qeveria flet për “probleme përputhjeje” dhe kërkon që qytetarët të jenë gati të zhvendosen kudo për të gjetur punë, edhe në qytete që nuk i kanë parë kurrë.

Mesazhi i qeverisë është i qartë: nëse je pa punë, fajin e ke vetë.

Por me papunësinë që shkon në 8,7%, shumë njerëz nuk do të mund të gjejnë dot punë, sado që të përpiqen.

Burimi: https://www.arbetarbladet.se/2025-10-05/forsamrad-a-kassa-visar-foraktet-sd-bar-pa/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%