Lajme

Qindra mijëra suedezë me borxhe te Kronofogden, por pak përfitojnë falje borxhesh

todayJanuary 20, 2026 450

Background
share close

Numri i suedezëve që përfundojnë te Kronofogden, Zyra e Përmbarimit të Suedisë, vazhdon të rritet. Megjithatë, është ende e rrallë që personat e mbingarkuar me borxhe të aplikojnë për falje borxhesh, e cila është një mundësi ligjore për ata që nuk janë në gjendje t’i shlyejnë borxhet e tyre.

“Është shumë e vështirë për të rinjtë që të marrin ndihmë”, thotë ekonomistja Paula Roth në një intervistë për Ekonomibyrån.

Më 26 janar, Kronofogdemyndigheten do të publikojë statistika të reja mbi borxhet e suedezëve. Megjithatë, autoriteti njofton se tashmë mund të shihet qartë se zhvillimi po shkon në drejtim të gabuar.

Gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë, është rritur si numri i personave me borxhe te Kronofogden, ashtu edhe shuma totale e borxheve. Sipas të dhënave për vitin 2024, rreth 437 mijë persona kishin borxhe te Kronofogden dhe borxhi i përgjithshëm arrinte në 138 miliardë korona suedeze.

Vetëm pak persona aplikojnë dhe përfitojnë ndihmë

Falja e borxheve është një rrugëdalje për personat që janë thellësisht të zhytur në borxhe dhe që nuk kanë mundësi t’i paguajnë ato në një të ardhme të afërt. Pavarësisht kësaj, vetëm rreth shtatë për qind e personave me borxhe te Kronofogden aplikojnë për falje borxhesh. Nga këta aplikantë, vetëm një e treta marrin miratim për ndihmë.

Ndërkohë, mund të ketë ndryshime të reja në rregullat ekzistuese. Qeveria ka ngritur një hetim që ka për detyrë të paraqesë propozime për të ulur mbingarkesën me borxhe në Suedi. Hetimi pritet të përfundojë dhe të prezantohet më së voni më 10 qershor.

Një nga zërat që kërkon reformim të sistemit është Paula Roth, studiuese në Shkollën e Lartë të Ekonomisë, e cila ka studiuar prej vitesh mbingarkesën me borxhe në vend.

Kriza personale shkaktojnë borxhet

Sipas saj, duhen bërë ndryshime që më shumë njerëz të guxojnë të aplikojnë për falje borxhesh, por edhe që procesi të bëhet më i thjeshtë dhe më i përballueshëm për ata që ndodhen në vështirësi financiare.

Paula Roth beson se rreziku i abuzimit me sistemin është i vogël, sepse borxhet zakonisht nuk vijnë nga sjellje e papërgjegjshme, por nga ngjarje të papritura në jetë.

“ Për shumicën e njerëzve, shkaku është divorci, papunësia ose sëmundja. Nuk është sjellje e keqe ajo që i ka futur në borxhe”, shpjegon ajo.

Pyetjes se çfarë ndodh me huadhënësit nëse më shumë persona marrin falje borxhesh dhe nuk i shlyejnë detyrimet e tyre, Paula Roth përgjigjet se kjo do t’i bënte institucionet kreditore më të kujdesshme në të ardhmen, duke menduar më mirë se kujt i japin hua.

Burimi: SVT

Link: https://www.svt.se/nyheter/inrikes/hundratusentals-svenskar-hos-kronofogden-fa-far-skuldsanering

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%