Lajme

Rregulla të reja për shpërndarjen e barnave (Ilacet) në Suedi. hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2025

todayOctober 27, 2025 44

Background
share close

Autoriteti Suedez i Barnave (Läkemedelsverket) ka njoftuar se nga 1 nëntori 2025 do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për shpërndarjen e barnave në shtëpi. Qëllimi është rritja e sigurisë së pacientëve, por ndryshimi mund të sjellë edhe vështirësi në zonat ku mungojnë farmacitë, veçanërisht në pjesët e largëta të vendit.

Kërkesa më të rrepta për shpërndarje

Sipas rregullave të reja, të gjitha barnat si ato me recetë, ashtu edhe ato pa recetë do të shpërndahen me të njëjtat standarde sigurie, si nga apoteket ashtu edhe nga pikat e tjera të shitjes.

Kjo do të thotë se pakot me barna nuk do të lejohen më të lihen jashtë derës apo mbi kutinë postare, siç ndodh shpesh tani.

Dorëzimi do të bëhet vetëm brenda kutisë postare, nëse barnat e lejojnë këtë mënyrë, ose përndryshe në kuti të mbyllura për shpërndarje apo në pika të autorizuara për marrje.

“Në hartimin e këtyre rregullave të reja, qëllimi ynë ka qenë të sigurojmë që cilësia dhe siguria e barnave të ruhet gjatë gjithë procesit të shpërndarjes,” shpjegon Annika Babra, shefe e njësisë për farmaci dhe tregti me barna pa recetë në Läkemedelsverket.

Kritika nga industria farmaceutike

Vendimi ka ngjallur kritika nga përfaqësues të apotekëve dhe tregtarëve të barnave online.

Në një artikull debati në gazetën Svenska Dagbladet, Meds Apotek paralajmëron se rregullat e reja mund të përkeqësojnë aksesin ndaj barnave, veçanërisht në zonat rurale, ku nuk ka shumë alternativa përveç shpërndarjes në shtëpi.

Sipas kompanisë, shitja online e barnave është bërë një zgjidhje e domosdoshme për shumë njerëz, dhe një në tre suedezë sot porosit barna përmes internetit.

Ata paralajmërojnë se ndalimi i dorëzimit në derë mund të krijojë vonesa dhe vështirësi për pacientët që varen nga ky shërbim.

Siguria e pacientëve, arsyeja kryesore

Pavarësisht kritikave, Autoriteti i Barnave mbron rregullat e reja, duke theksuar se siguria e pacientëve është përparësi.

Institucioni thotë se ka marrë shumë ankesa për barna që janë humbur ose vjedhur, pasi janë lënë jashtë derës pas shpërndarjes.

“Si barnat me recetë, ashtu edhe ato pa recetë janë produkte të delikate dhe kritike, që mund të jenë të dëmshme për njerëzit, kafshët ose mjedisin nëse përdoren gabim. Prandaj është shumë e rëndësishme të shmanget çdo rrezik që persona të paautorizuar të kenë qasje tek to,” thekson Annika Babra.

“Rregullat e reja do të sjellin kontroll më të mirë dhe do të ndihmojnë që çdo dërgesë të arrijë te personi i duhur, në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.”

Zbatimi nga nëntori 2025

Kur rregullat të hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2025, e gjithë shpërndarja e barnave në Suedi përfshirë edhe ato të porositura online do të përfshihet nën të njëjtat kërkesa sigurie.

Autoritetet shpresojnë që ndryshimi të forcojë mbrojtjen e pacientëve, ndërsa sektori farmaceutik paralajmëron se mund të ketë probleme për zonat ku shërbimet postare janë të kufizuara.

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%