Lajme

Rregullat e reja të kredive të banesave hynë në fuqi dje . Më e lehtë për të rinjtë, por rrezik për rritje çmimesh

todayApril 2, 2026 103 1

Background
share close

Që nga dje kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për kreditë e banesave në Suedi. Këto ndryshime synojnë ta bëjnë më të lehtë për të rinjtë që të blejnë shtëpinë ose apartamentin e tyre të parë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rregulla mund të sjellin edhe rritje të çmimeve në tregun e banesave.

Një nga ndryshimet kryesore është heqja e kërkesës së ashpërsuar për amortizim. Më parë, personat që kishin kredi mbi 4.5 herë të ardhurat vjetore duhej të paguanin edhe 1% më shumë çdo vit. Tani kjo kërkesë është hequr. Por, rregulli bazë mbetet: kush ka kredi mbi 70% të vlerës së banesës, duhet të amortizojë të paktën 2% në vit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ulja e parapagimit (kontantinsats). Deri dje, blerësi mund të merrte kredi deri në 85% të vlerës së banesës, ndërsa tani mund të marrë deri në 90%. Kjo do të thotë se duhet më pak para në fillim për të blerë një banesë.

Në të njëjtën kohë, janë vendosur kufizime për kreditë shtesë, për shembull për rinovime. Sipas rregullave të reja, borxhi total nuk mund të kalojë 80% të vlerës së banesës.

Ekspertët paralajmërojnë për pasoja të mundshme negative. Institucione si Konjunkturinstitutet theksojnë se rritja e borxheve mund të sjellë probleme në të ardhmen. Gjithashtu, më shumë njerëz mund të kenë mundësi të bëjnë oferta për banesa, gjë që mund të rrisë çmimet. Sipas ekonomistes së kursimeve në Nordnet, Frida Bratt, për shembull, një apartament i vogël mund të ketë më shumë interes dhe konkurrencë.

Për të frenuar këtë zhvillim, është vendosur edhe një rregull i ri: një banesë mund të rivlerësohet vetëm pas pesë vitesh nga blerja ose nga rritja e fundit e kredisë. Qëllimi është që njerëzit të ulin gradualisht nivelin e borxhit dhe të kalojnë nën kufijtë e amortizimit prej 70% dhe 50%.

Shembuj konkretë të uljes së parapagimit:

Për një apartament 1 dhomë (33 m²) me çmim 1,753,169 krona, parapagimi bie nga 262,975 në 175,317 krona, pra 87,658 krona më pak.

Për një apartament 2 dhoma (55 m²) me çmim 2,534,542 krona, parapagimi bie nga 380,181 në 253,454 krona, pra 126,727 krona më pak.

Për një apartament 3 dhoma (75 m²) me çmim 3,208,281 krona, parapagimi bie nga 481,242 në 320,828 krona, pra 160,414 krona më pak.

Për një familje me dy fëmijë, 4 dhoma (90 m²) me çmim 3,731,783 korona, parapagimi bie nga 559,767 në 373,178 korona, pra 186,589 krona më pak.

Për një familje më të madhe, 5 dhoma (110 m²) me çmim 4,561,068 krona, parapagimi bie nga 684,160 në 456,107 krona, pra 228,053 krona më pak.

Këto ndryshime e bëjnë më të lehtë hyrjen në tregun e banesave, por në të njëjtën kohë mund të rrisin konkurrencën dhe çmimet.

Burimi: DN

Link: https://www.dn.se/ekonomi/nya-bolaneregler-det-har-galler-fran-i-dag/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%