Lajme

Rreth 2 500 prindër në Suedi kanë shfrytëzuar mundësinë e re të VAB-it për takime me shkollën

todayJune 30, 2026 25

Background
share close

Që nga fillimi i këtij viti, në Suedi është zgjeruar e drejta për të përfituar nga kompensimi i përkohshëm prindëror (VAB). Tashmë prindërit mund të marrin VAB edhe kur marrin pjesë në takime me shkollën dhe institucione të tjera që lidhen me gjendjen shëndetësore ose nevojat e fëmijës.

Deri më tani, këtë mundësi e kanë shfrytëzuar rreth 2 500 prindër.

Për krahasim, gjatë këtij viti gjithsej 626 200 persona kanë përdorur VAB. Kjo tregon se prindërit që kanë marrë VAB për të marrë pjesë në takime përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të numrit të përgjithshëm.

“Prisja që numri të ishte disi më i lartë. Megjithatë, për prindërit që kanë takime të përsëritura, kjo është një ndryshim i rëndësishëm”, tha analistja Alma Wennemo Lanninger nga Agjencia Suedeze e Sigurimeve Shoqërore (Försäkringskassan).

Sipas rregullave të reja, prindërit kanë të drejtë të marrin VAB edhe kur marrin pjesë në takime në shkollë për të diskutuar sëmundjen ose aftësinë e kufizuar të fëmijës, si dhe përshtatjet që duhet të bëhen në shkollë për ta mbështetur atë.

Raporti i Försäkringskassan tregon se nga 2 500 prindërit që kanë përdorur këtë mundësi, rreth 1 600 e kanë bërë këtë pikërisht për takime të tilla me shkollën.

E drejta për VAB vlen gjithashtu edhe kur prindi duhet të udhëzojë stafin e shkollës për mënyrën se si duhet të kryhet kujdesi i përditshëm i fëmijës për sëmundje si diabeti ose ekzema. Po ashtu, VAB mund të përdoret edhe për pjesëmarrje në takime me shërbimet sociale.

Sipas raportit, VAB-i për takime është përdorur më së shumti nga prindërit e fëmijëve 11-vjeçarë. Në 63% të rasteve, kompensimi është marrë për djem.

Försäkringskassan shpjegon se kjo mund të lidhet me faktin se djemtë diagnostikohen më shpesh se vajzat me ADHD dhe autizëm në moshë të hershme. Gjithashtu, djemtë marrin më shpesh mbështetje të veçantë në shkollë krahasuar me vajzat, thuhet në raport.

Burimi: TT/GP

Link: https://www.gp.se/nyheter/sverige/nara-2-500-foraldrar-har-anvant-ny-vab-mojlighet.5e235e18-e58f-5c45-a4cc-50dea5451746

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%