Lajme

Suedia miraton ligj të ri: Më shumë mundësi për identifikim elektronik përveç BankID

todayJune 18, 2026 40

Background
share close

Një ndryshim i rëndësishëm po vjen për përdoruesit e identifikimeve elektronike në Suedi. Një ligj i ri, i miratuar nga parlamenti suedez, do të bëjë që qytetarët të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje kur identifikohen në shërbimet publike digjitale.

Sipas rregullave të reja, institucionet publike nuk do të mund të pranojnë vetëm BankID, por do të duhet të mbështesin edhe identifikime të tjera elektronike që plotësojnë kërkesat ligjore.

Ky është një lajm i mirë për suedezët që kanë zgjedhur të mos përdorin BankID. Falë ligjit të ri, alternativa të tjera do të funksionojnë në shumë më tepër shërbime dhe institucione në të gjithë vendin.

Ligji prek rreth 20 mijë institucione publike në Suedi. Ndërkohë, që nga 1 janari i këtij viti, edhe autoritetet shtetërore kanë qenë të detyruara të zbatojnë rregulla të ngjashme, megjithëse me disa përjashtime.

Sipas Johan Henrikson, drejtor ekzekutiv i kompanisë Freja eID Group, vendimi i parlamentit krijon rregulla të qarta dhe afatgjata për tregun e identifikimeve elektronike në Suedi.

Një nga përfituesit më të mëdhenj të këtij ndryshimi pritet të jetë Freja, alternativa më e njohur ndaj BankID. Aktualisht, Freja ka rreth 1.6 milion përdorues në Suedi dhe përdoret për hyrje në shërbime të ndryshme publike dhe private.

Henrikson theksoi se kur ligji të hyjë plotësisht në fuqi, shumë organizata dhe institucione do të duhet të sigurojnë që qytetarët të mund të identifikohen me të gjitha e-legjitimimet që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji, përfshirë edhe Freja.

Përveç Freja-s, në tregun suedez ekzistojnë edhe alternativa të tjera si Telia e-legitimation dhe Svenska Pass, identifikimi elektronik shtetëror i lidhur me kartën kombëtare të identitetit. Megjithatë, këto përdoren në një shkallë shumë më të vogël krahasuar me BankID dhe Freja.

Ligji i ri pritet të rrisë lirinë e zgjedhjes për qytetarët dhe të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale, veçanërisht për ata që kanë pasur vështirësi me BankID ose kanë vendosur të mos e përdorin atë.

Nga 1 dhjetori i këtij viti, të gjitha komunat, rajonet dhe institucionet që financohen me fonde publike do të jenë të detyruara të mbështesin disa identifikime elektronike në shërbimet e tyre digjitale, duke u ofruar qytetarëve më shumë mundësi dhe akses më të lehtë në shërbimet publike.

Burimi: Marcusoscarsson

Link:https://marcusoscarsson.se/nytt-krav-for-e-legitimation-infors/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%