Lajme

Ulen kufinjtë e shpejtësisë në Suedi. Masa që mund të bëhet e përhershme

todayMay 5, 2026 149

Background
share close

Në Suedi, autoriteti rrugor Trafikverket ka ulur kufijtë e shpejtësisë në shumë rrugë gjatë viteve të fundit. Tashmë po përdoren më shpesh kufij të njëtrajtshëm si 40, 60, 80 dhe 100 km/h.

Qëllimi i kësaj mase është rritja e sigurisë në rrugë dhe ulja e numrit të viktimave. Sipas Trafikverket, kjo ka dhënë rezultat: vitin e kaluar pati 10 viktima më pak në trafik krahasuar me vitin 2024.

Megjithatë, organizata Riksförbundet M Sverige nuk është dakord që ulja e shpejtësisë të jetë zgjidhja kryesore. Sipas saj, rrugët bëhen më të sigurta sidomos kur ndahen korsitë me barriera mes drejtimeve të kundërta (ndarje qendrore).

Gjatë 14 viteve të fundit janë ndërtuar rreth 80 kilometra në vit rrugë me ndarje të tillë. Por sipas organizatës, për të arritur objektivat e sigurisë duhen rreth 300 kilometra në vit.

Eksperti i sigurisë rrugore, Jacob Sidenvall, thotë se po krijohet përshtypja që ulja e shpejtësisë po përdoret si një zgjidhje e lehtë, sepse puna për ndarjen e korsive nuk po ecën sa duhet.

Masat për uljen e shpejtësisë, si nga 90 në 80 km/h në shumë rrugë, fillimisht u prezantuan si të përkohshme. Por tani ka gjasa që ato të bëhen të përhershme. Në një konferencë të fundit, Trafikverket njoftoi edhe një plan për të vazhduar uljen e shpejtësisë në qytete dhe zona të banuara.

Sidenvall thekson se është e rëndësishme që çdo vend të ketë kufirin e duhur të shpejtësisë. Ai nuk pajtohet me idenë që 30 km/h të vendoset në të gjitha qendrat e qyteteve. Sipas tij, ky kufi duhet të zbatohet vetëm në zona të caktuara ku ka shumë fëmijë ose këmbësorë.

Ai paralajmëron gjithashtu se përdorimi i tepërt i uljes së shpejtësisë mund të mos jetë zgjidhja më e mirë. Sipas tij, më e rëndësishme është mënyra si ndërtohen dhe projektohen rrugët. Edhe rezultatet e Trafikverket tregojnë se rrugët më të mirëprojektuara janë më pak të rrezikshme.

Nga ana tjetër, Trafikverket këmbëngul se shpejtësia e duhur shpëton jetë dhe ndihmon edhe mjedisin. Sipas tyre, ulja e shpejtësisë nuk ndikon shumë në kohën e udhëtimit.

Për shembull:
Nga 90 në 80 km/h, udhëtimi zgjatet me 50 sekonda për çdo 10 km.
Nga 80 në 70 km/h, zgjatet me 60 sekonda për çdo 10 km.

Në fund, duhet theksuar se në zonat e banuara janë komunat ato që vendosin për rregullat e trafikut.

Burimi: Marcusoscarsson

Link: https://marcusoscarsson.se/sankt-hastighet-i-sverige-ny-grans-kan-bli-permanent/

Written by: admin

Rate it

Rreth Nesh

Scandinavian-Albania-Radio është radio më e re në hapsirën mediatike Skandinave dhe konkretisht në Suedi me vendndodhje në adresën: Industrigatan 44a 57138 Nassjo.

contact us

Shkarko APP

0%